Dhjetë librat më kontroversë të të gjitha kohërave!

Dhjetë librat më kontroversë të të gjitha kohërave!

Dhjetë librat më kontroversë të të gjitha kohërave!

Nga: Jeremy Urquhart / Collider
Përkthimi: Telegrafi.com

Sponsor 3M Express

Ka një histori të tërë të librave kontroversë, së cilës renditja e mëposhtme mundet t’ia prek vetëm sipërfaqen. Ekzistojnë mënyra të ndryshme se si një libër mund të shkaktojë kontroversë dhe, ndonjëherë, kontroversa është gjë e mirë – ose të paktën është e qëllimshme. Kontroversa mund të jetë edhe qesharake – nga ato gjëra që shumica e njerëzve bëjnë më mirë t’i shpërfillin, dhe mund të lindë pavarësisht nëse një libër është i mirë apo i keq.

E, pra, kjo lidhet me arsyet e ndryshme se pse një libër mund të jetë kontrovers. Në vijim bëhet fjalë kryesisht për libra të mirë që kanë nxitur përçarje për arsye të tjera që nuk ndërlidhen me cilësinë e tyre e përgjithshme. Gjithashtu, në këtë renditje të veçantë të librave më kontroversë të të gjitha kohërave do të ketë vetëm vepra letrare, prandaj, na vjen keq nëse prisni të shihni ndonjë vepër joletrare vërtet përçarëse ose historikisht alarmante (natyrisht, ka shumë të tilla)!

Lexo po ashtu:
– Vepra e Ginsbergut që zemëroi ShBA-në e Luftës së Ftohtë: Gjyqi që ripërcaktoi lirinë e shprehjes
– Letërsinë e shkatërron autocensura
– Vdekja e së vërtetës: Kur propaganda dhe “faktet alternative” e pushtuan botën
– Jeta dhe fati: Një roman sovjetik, “shumë i rrezikshëm për t’u lexuar”

10. Naked Lunch, 1959 [Dreka e zhveshur]

Pra, Dreka e zhveshur është e vështirë për t’u përshkruar, dhe kjo është e qëllimshme; mund ta hasni të cilësuar si antinovelë, prandaj, edhe nëse nuk e keni dëgjuar më parë këtë term, deri diku ndoshta e dini se çfarë ju pret. Me shumë gjasë, nuk do të arrini t’u gjeni kuptim gjërave dhe romani do t’ju duket si një shaka në llogarinë tuaj.

Edhe kështu, është ende e mundur të bezdisesh nga Dreka e zhveshur, dhe pastaj është edhe gjithë ai material me shije të keqe që duhet marrë parasysh këtu, pasi bëhet fjalë për gjëra vërtet tronditëse sipas standardeve të viteve ’50 të shekullit XX. Dreqi marrtë, Dreka e zhveshur është ende disi tronditëse, edhe sot, dhe padyshim po aq makthore sa mund të bëhet një libër pa u ndier si roman i mirëfilltë horrori – dhe i përkufizueshëm në mënyrë tradicionale. Këtu merrni hutim dhe neveri, dy emocione të këqija për çmimin e njërit, prandaj, a duhet të na habitë vërtet gjithë kjo polemikë dhe ky alarm i shkaktuar?

Lexo po ashtu nga William S. Burroughs:
– Bileta që shpërtheu

9. Brave New World, 1932 [Më e mira e botëve]

Më e mira e botëve fiton pikë sa i përket kontroversës kur merret parasysh mosha e tij dhe lloji i gjërave që paraqiste pothuajse 100 vjet më parë e për të cilat njerëzit ndoshta nuk ishin gati – të paktën jo gjerësisht. Ai përmban shumë më tepër material për të rritur sesa shumica e librave të famshëm dhe të lexuar gjerësisht të kohës së tij dhe, edhe nëse nuk është grafik sipas standardeve të sotme, alarmi që shkaktoi megjithatë duhet marrë deri diku parasysh.

Ka gjithashtu grupe të ndryshme njerëzish të cilët, në periudha të ndryshme të historisë, kanë kundërshtuar atë që Më e mira e botëve mund të jetë duke thënë ose jo për shkencën, fenë dhe shoqërinë në përgjithësi. Këtu ka lexime të ndryshme dhe gjëra të ndryshme për t’u interpretuar, prandaj Më e mira e botëve ka përfunduar duke qenë një prej atyre librave që ka shtyrë shumë njerëz të ngrenë vetullat për një varg të tërë arsyesh.

Lexo po ashtu nga Aldous Huxley:
– Teknologjia është krijuar për njeriun, jo njeriu për teknologjinë
– Letra e Hakslit për Oruellin (1949): Vizioni im për ferrin e së ardhmes është më i saktë se i yti!

8. The Amber Spyglass, 2000 [Dylbia e qelibarit]

Ndryshe nga Më e mira e botëve, te Dylbia e qelibarit ka një pikë të vetme të vërtetë kundërshtie. Sinqerisht, përveç kësaj, libri është mjaft i sigurt për shumicën e lexuesve të rinj, megjithëse është pjesë e një trilogjie që mund të shijohet edhe nëse jeni pak më të rritur, meqë ndodhin disa gjëra të fuqishme dhe ka pasoja të qarta, ndonëse pesha e tyre nuk është aq me ndikim për një publik të të rinjve.

E gjithë trilogjia, deri diku, është kontroverse për shkak të asaj që thotë për shkencën përballë fesë, por libri i tretë, Dylbia e qelibarit, veçohet këtu sepse pikërisht në të ky konflikt del vërtet në plan të parë dhe ajo që më herët mund të ketë qenë më afër nëntekstit, këtu bëhet tekst i drejtpërdrejtë. Mund të jetë vetëm një pakicë e zëshme ajo që zemërohet me këtë libër dhe me trilogjinë, por kjo është diçka që lidhet gjithmonë me His Dark Materials [Lëndët e tij të errëta]; ndoshta edhe një elefant në dhomë të cilin, në shumicën e rasteve, ndihesh pak a shumë i detyruar ta përmendësh.

7. A Clockwork Orange, 1962 [Portokalli me kurdisje]

Portokalli me kurdisje është deri diku roman fantastiko-shkencor, por jo tamam fantastikë shkencore, pasi shkenca nuk theksohet vërtet këtu dhe romani merret më shumë me çështje shoqërore dhe me ndikimin e një lloji të caktuar teknologjie mbi shoqërinë, krimin dhe drejtësinë. Një i ri burgoset pas një serie krimesh dhe më pas, në thelb, i shpëlahet truri në mënyrë që të ndiejë neveri sa herë që i lind dëshira të bëjë diçka të dhunshme, madje edhe kur i afrohet mendimit të një veprimi të dhunshëm.

Për të funksionuar e gjithë kjo rrjedhë e ngjarjeve, është e nevojshme që personazhi kryesor të bëjë disa gjëra vërtet të tmerrshme dhe kjo është padyshim një burim kontroverse këtu. Gjithashtu, Portokalli me kurdisje është i zymtë dhe nuk ka shumë gjëra optimiste për të thënë as për shtetin, as për sistemin e burgjeve. Dhuna ushtrohet nga të dyja anët e konfliktit dhe kjo bën që i gjithë libri të ndihet (qëllimisht) jashtëzakonisht dëshpërues dhe i pashpresë.

Lexo po ashtu:
– Filmi “A Clockwork Orange”: Si u realizua monumenti i kinemasë moderne?

6. Scary Stories to Tell in the Dark, 1981 [Tregime të frikshme për t’u treguar në errësirë]

Nëse shikoni të gjithë librat horror që janë shkruar ndonjëherë, teknikisht ka libra më të frikshëm se Tregime të frikshme për t’u treguar në errësirë, sidomos nëse analizoni vetëm atë që thonë tregimet – domethënë, tekstin. Është një përmbledhje tregimesh horror drejtuar lexuesve më të rinj dhe disa prej tyre mund të jenë të fuqishme dhe tepër të frikshme për lexuesit, veçanërisht të vegjël, por janë ilustrimet në versionin origjinal të librit ato që e bëjnë atë kontrovers si tërësi.

Stephen Gammell ishte ilustruesi dhe imazhet që krijoi këtu janë vërtet disi të pakëndshme për t’u parë – edhe nëse jeni më të rritur. Ilustrimet e bëjnë kontroverse veprën Tregime të frikshme për t’u treguar në errësirë, sidomos duke qenë se, të paktën në pamje të parë, është diçka drejtuar fëmijëve. Nëse njerëzit i kanë parë disa prej këtyre vizatimeve në moshë të re dhe janë traumatizuar vërtet prej tyre, sinqerisht nuk mund t’i fajësoni.

5. American Psycho, 1991 [Psikopati amerikan]

Ja ku është Psikopati amerikan, i cili nuk ka ilustrime (edhe pse ilustrimi i kopertinës më sipër është paksa shqetësues), por, natyrisht, është shumë më ekstrem në tekstin e tij sesa Tregime të frikshme për t’u treguar në errësirë. Mund të mendoni se etiketimi si libër vetëm për lexues mbi moshën 18-vjeçare do ta pengonte të dukej tepër kontrovers dhe/ose polemizues, por Psikopati amerikan vërtet i çon gjërat shumë larg sa i përket përmbajtjes.

Nëse e keni parë filmin, atëherë libri e bën atë film të duket, në krahasim, si diçka nga Disney. Narratori këtu është tmerrësisht i keq dhe gjithashtu shumë i trazuar, ndërsa Psikopati amerikan e paraqet atë duke rrëfyer krimet e veta me hollësi grafike, teksa njëkohësisht vë po aq pasion në përshkrimin e të gjitha gjërave sipërfaqësore që përbëjnë jetën e tij. Është satirë efektive, pa dyshim, por definitivisht jo një lexim i lehtë – dhe është gjë e kuptueshme se pse libri ndonjëherë shitet me mbështjellje.

Lexo po ashtu:
– Burrat nuk po zhduken nga letërsia, e vërteta është më e ndërlikuar

4. Gravity’s Rainbow, 1973 [Ylberi i gravitetit]

Gjatë gjithë Ylberit të gravitetit ka një këmbëngulje ndaj përmbajtjes së neveritshme dhe shqetësuese që ndoshta duhet ta lexoni për ta besuar, por është gjithashtu një libër që vështirë do t’ua rekomandosh shumicës së njerëzve, pos nëse e dinë se po hyjnë në diçka vërtet ekstreme – sa u përket çështjeve postmoderne. Ngjarjet zhvillohen gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe libri përmban shumë sharje, dhunë, shthurje, gjëra neveritëse dhe përmbajtje të tjera, hëm, “eksplicite”.

E gjithë kjo është në shërbim të një libri që është i vështirë të zbërthehet në kuptimin e gjetjes dhe paraqitjes së sinopsisit apo diçkaje të tillë. Disa njerëz po kërkojnë një lloj rakete dhe pastaj disa të tjerë jo, dhe ka kaq shumë njerëz, ndërsa shumë pak linja duket se ndërthuren në ndonjë mënyrë të menjëhershme të dukshme. Ylberi i gravitetit është pa dyshim tronditës dhe është i famshëm (apo famëkeq?) për faktin se e përçau Bordin Këshillues të Pulicerit [Pulitzer] në vitin 1974.

3. IT, 1986 [Ajo]

Nëse doni të zgjidhni ndonjë libër të Stephen Kingut për ta veçuar për kontroversën e tij, keni boll zgjedhje. Keni librin e shtatë të The Dark Tower [Kulla e errët], i cili ka një përfundim shumë të guximshëm dhe disi tronditës për një sagë kaq të gjatë – The Stand [Qëndresa], që përfundon në mënyrë të beftë, Pet Sematary [Varrezat e kafshëve shtëpiake] dhe atmosferën e tij veçanërisht të rëndë, dhe pastaj ndoshta edhe disa libra që kanë përçarë lexuesit për shkak të cilësisë së tyre ose mungesës së saj (o, hej, Lisey’s Story/Historia e Lizit … po, nuk mund të fshihesh; mos mendo kurrë se mund të fshihesh).

Por, Ajo i ka nga pak të gjitha. Është shumë i errët dhe ballafaques në përmbajtjen e tij, ka një fund disi alarmues dhe gjithashtu disa kapituj të fundit mjaft të çuditshëm të cilët e mbyllin një histori me të cilën duhet të kaloni shumë kohë për ta përfunduar. Është edhe fakti se në një pjesë të madhe të librit ka fëmijë, ndërsa personazheve të rinj u ndodhin gjithfarë gjërash të tmerrshme – duke nisur që në fillim me vrasjen mizore të një fëmije dhe duke u bërë vetëm më keq prej aty. Ajo është e tepërt për t’u përballuar, dhe kjo është e qëllimshme, sigurisht, por nuk është e vështirë të dallohen disa arsye pse ka shkaktuar kontroversë gjatë 40 vjetëve që gjendet në raftet e librarive.

Lexo po ashtu:
– Shembulli se si duhet të jetë një film horror: “Shejtanet” që frymëzuan “Psikon”

2. Lolita (1955)

Lolita është ai libri për atë burrin, e dini, që bën … uh … mirë, kjo vetë dëshmon diçka për Lolitën dhe se sa konfrontues është libri. Është e vështirë të përmblidhet, sepse trajton diçka që shumica e librave nuk e prekin – edhe kur bëhet fjalë për ndonjë lloj keqbërësi që nuk haset veçanërisht shpesh dhe që bën atë që bën personazhi kryesor i Lolitës – ose diçka të krahasueshme. Te Lolita, ju jeni gjatë gjithë kohës brenda kokës së atij burri.

Dhe, ky burrë di të shkruajë, pasi korniza është se ai po shkruan më shumë një lloj kujtimesh sesa një rrëfim pendese në kuptimin më të ngushtë, meqë nuk pendohet për atë që ka bërë dhe kalon një pjesë të madhe të librit duke folur për mënyrën se si e sheh veten si superior. Është një studim ikonik i karakterit të një prej personazheve më të këqij që mund të përfytyrohen dhe, ndonëse gjërat përshkruhen me po aq hollësi grafike sa te Psikopati amerikan, Lolita fare mirë mund të duket edhe më tabu; për më tepër, u botua shumë më herët duke hedhur themelet mbi të cilat romane të mëvonshme si Psikopati amerikan dhe Portokalli me kurdisje mund të ndërtonin më tej.

Lexo po ashtu:
– Sa e keqe është plagjiatura, në të vërtetë?
– Vladimir Nabokov: Betohem, nuk kam dashur kurrë më parë në këtë mënyrë

1. The Catcher in the Rye, 1951 [Fëmijë në humnerë]

Fëmijë në humnerë ka mbijetuar ndër vite për disa arsye, njëra prej të cilave është se është shkruar mirë dhe është padyshim një libër interesant. Një tjetër është mënyra se si flet për tjetërsimin e të rinjve në një mënyrë mjaft të pakohë, duke e bërë të afërt për një adoleshent që e lexon në shekullin XXI, po aq sa me siguri do t’u ishte dukur i afërt lexuesve të rinj apo adoleshentë rreth mesit të shekullit XX.

Dhe, arsyeja tjetër kryesore është kontroversa. Çuditërisht, libri është lidhur me disa vrasje ose tentativa për vrasje, dhe kjo është hija që vërtet rëndon mbi një libër i cili, edhe pa këtë, është plot ankth dhe mjaft i errët. Po ashtu, mënyra pa kompromis me të cilën trajton atë që zgjedh të eksplorojë, ndërkohë që nuk druhet të ketë një protagonist/narrator shumë intensiv dhe përçarës … pra, po. Fëmijë në humnerë, për arsye të qëllimshme dhe të paqëllimshme, është ndoshta libri më i njohur kontrovers i shkruar në gjuhën angleze. /Telegrafi/

Lexo edhe

Motra e Adem Ademit: Kur nisën gërmimet në Kalludër, isha e bindur se vëllai im ishte aty

Motra e Adem Ademit: Kur nisën gërmimet në Kalludër, isha e bindur se vëllai im ishte aty

“S’du me hy në gjynah…”/ Xuxi flet për namazin e banorëve aktualë në BBVK (VIDEO)

“S’du me hy në gjynah…”/ Xuxi flet për namazin e banorëve aktualë në BBVK (VIDEO)

“Liria Ka Emër” thërret konferencë për media për të enjten

“Liria Ka Emër” thërret konferencë për media për të enjten

Dhjetë librat më kontroversë të të gjitha kohërave! | Momenti