Detaje të reja janë bërë të ditura nga dosja e Prokurorisë Themelore në Gjilan lidhur me vrasjen e dyfishtë në fshatin Demiraj, ku jetën e humbën Adonis Demiri dhe foshnja e tij.

Sipas dosjes së siguruar nga TV Dukagjini, Braim Demiri dyshohet se më 1 nëntor, pas një konflikti fizik me djalin e tij, e ka sulmuar atë me grushte dhe me një mjet të fortë në kokë.
Prokuroria pretendon se më pas i dyshuari i ka vendosur një litar rreth qafës viktimës, duke e privuar nga jeta.
Ndërkaq, foshnja është gjetur e pajetë në shtratin e babait të saj, me shenja dhune, ndërsa në atë hapësirë janë vërejtur edhe njolla gjaku.
Në dosje thuhet se mënyra e saktë e vdekjes së të dy viktimave ende nuk është përcaktuar, pasi ekzistojnë kundërthënie mes deklarimeve të të dyshuarve dhe pamjeve nga kamerat e sigurisë.
Përveç Braim Demirit, në këtë rast është e pandehur edhe H. Demiri, e dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.
Prokuroria ka kërkuar paraburgim, duke vlerësuar se ekziston rreziku i ndikimit te dëshmitarët dhe i koordinimit të deklaratave mes të pandehurve.
Hetimet janë ende në fazën fillestare. Rezultatet e autopsisë dhe ekspertizat e gjurmëve biologjike, litarit dhe pajisjeve elektronike të sekuestruara ende nuk janë pranuar.
Po ashtu, gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur edhe një armë gjuetie me leje të skaduar.
Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar Braim Demirit një muaj paraburgim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




