Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vdekjen e 36-vjeçares, e cila u gjet pa shenja jete mëngjesin e sotëm në shtëpinë e saj në fshatin Leshan të Suharekës.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se 36-vjeçarja është gjetur në katin e dytë të shtëpisë, me njërën dorë të djegur, pranë një nxemëseje.
Në momentin kur është gjetur viktima, motra e saj ndodhej në katin e parë të shtëpisë. Sipas burimeve të Sinjalit, dy motrat jetonin së bashku, ndërsa 36-vjeçarja kishte pasur probleme të shëndetit mendor.
Sinjali mëson se viktima është Doruntina Bytyqi.
Rasti është raportuar rreth orës 07:00, pasi mjeku kujdestar i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes, ka njoftuar Policinë.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve dhe ekspertët mjekoligjorë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i 36-vjeçares është dërguar në IML për ekzaminime të mëtejshme.
Policia ka iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes”, ndërsa në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren po ndërmerren veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





