Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për ndeshjen e fundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve, ku të martën do të përballet me Irlandën në Dublin.

Dardanët vijnë në këtë sfidë pas barazimit të djeshëm ndaj Izraelit, ndërsa dueli me irlandezët do të jetë vendimtar për pozitën e dytë në grup.
Në stërvitjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion 13 futbollistë. Ndërkohë, lojtarët që ishin titullarë në ndeshjen ndaj Izraelit zhvilluan një seancë rigjeneruese në palestrën e hotelit.
Pasditen e sotme, Kombëtarja e Kosovës do të udhëtojë drejt Dublinit, ku do të vazhdojë përgatitjet për përballjen e rëndësishme të së martës.
Kosovës i duhet një paraqitje e mirë në udhëtim për të synuar pozitën e dytë në grup dhe për ta mbyllur këtë edicion të Ligës së Kombeve në mënyrën më të mirë të mundshme. /Telegrafi/





