Ndonëse gjuha shqipe ka status zyrtar në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë, ajo nuk po zbatohet në Komunën e Butelit, në Shkup. Pavarësisht reagimeve të këshilltarëve shqiptarë të kësaj komune, aty është promovuar një park i qytetit, në hyrje të të cilit tabela është vendosur vetëm në gjuhën maqedonase.

“Mosrespektimi vërehet në tabelat e rrugëve, në ueb-faqen e komunës, vulat zyrtare dhe dokumentacionet. Rasti i fundit është promovimi i megaparkut, ku tabela u vendos vetëm në gjuhën maqedonase, ndonëse shqiptarët përbëjnë rreth 50 për qind të popullsisë së komunës. Ne këtë çështje e kemi ngritur edhe në seancën e fundit, por u mbivotuam nga këshilltarët maqedonas”, tha Armend Murseli, këshilltar komunal në Komunën e Butelit.
Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut ka reaguar lidhur me vendosjen e një tabele vetëm në gjuhën maqedonase në një park të Komunës së Butelit. Sipas Inspektoratit, mosvendosja e gjuhës shqipe në tabelën e parkut përbën shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Për këtë arsye, komunës i është dhënë vërejtje që, brenda afatit prej 30 ditësh, ta korrigjojë tabelën.
“Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Butel nuk mund të shpjegohet me pjesën e kriterit ligjor që është pragu prej 20 për qind, sepse, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021, aty jetojnë 37 për qind shqiptarë. Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ka pranuar dy iniciativa për çështjen në fjalë, më datë 4 dhe 12 nëntor 2026, dhe menjëherë kam dhënë urdhër për inspektimin e gjendjes faktike. Procedurat vazhdojnë edhe sot që po flasim”, thjeksoi Arsim Idrizi, drejtor i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve në RMV.
Nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve bëjnë të ditur se realizojnë rreth 200 inspektime në vit në institucionet qendrore dhe lokale, me qëllim të verifikimit të zbatimit të përdorimit të gjuhëve në praktikë.
Burimi: RTKLive





