Të rinj nga të gjitha trevat shqiptare janë bërë bashkë në Parlamentin e Shqipërisë, në kuadër të forumit “Foli Shqip”, një aktivitet që vuri në qendër identitetin kombëtar, atdhedashurinë dhe bashkëpunimin ndërmjet brezave të rinj shqiptarë.

Studentët nga Maqedonia e Veriut, poashtu zhvilluan dhe një takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në fjalimin e tij të rastit, Begaj tha se pa gjuhën shqipe nuk ka shqiptari, duke përcjellë mesazhin që shqiptarët gjithmonë të bashkohen për të mbrojtur vlerat kombëtare.
“Duhet të bësh punë të vogla me dashuri të madhe, për atë që është më e madhe se të gjithë ne, atdheun! Pa gjuhë, pa të folurën shqip, nuk ka atdhe, nuk ka shqiptari”, tha Begaj.
Forumi “Foli Shqip”, nismë e Këshillit Kombëtar të Rinisë, u organizua me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjve të Kosovës dhe tri universitete shqiptare në Maqedoninë e Veriut.





