Bordi i Paqes, i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur planin e përfundimit të luftës në Gazë, ka kritikuar Izraelin dhe Hamasin për moszbatimin e zotimeve për t’i dhënë fund armiqësive. Sipas një raporti të këtij organi, mospërmbushja e marrëveshjes po e lë popullsinë palestineze në kushte tejet të rënda dhe po e rrezikon seriozisht vazhdimin e armëpushimit.

Raporti prej 12 faqesh, të cilin e ka parë agjencia Reuters, është i dyti që Bordi i Paqes i paraqet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, 13 muaj më parë.
Në dokument paraqitet një vlerësim shqetësues i përparimit të deritashëm, ndërsa paralajmërohet se hendeku mes zotimeve të palëve dhe situatës në terren po e vështirëson zbatimin e planit.
“Dallimi mes asaj që është rënë dakord dhe asaj që po ndodh në terren mbetet megjithatë rreziku kryesor për këtë proces”, thuhet në raport, ku paralajmërohet se “një armëpushim që nuk sjell rezultate të dukshme nuk mund të mbahet pafundësisht”.
Bordi i Paqes, i krijuar dhe i drejtuar nga Trumpi, pritet t’ia paraqesë gjetjet e raportit Këshillit të Sigurimit të OKB-së në një takim që do të mbahet në New York, në fund të nëntorit.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe një zëdhënës i zyrës politike të Hamasit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment lidhur me raportin.
Ndonëse armëpushimi ka ndalur luftimet në shkallë të gjerë, plani më i gjerë për Gazën, i cili parasheh çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e trupave izraelite dhe nisjen e rindërtimit të territorit, ka mbetur praktikisht i bllokuar që pak kohë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes vitin e kaluar.
Hamasi kishte rënë dakord në korrik për një udhërrëfyes të propozuar nga Bordi i Paqes, sipas të cilit do të dorëzonte armët dhe do t’ia kalonte qeverisjen e Gazës një autoriteti civil kalimtar. Izraeli, megjithatë, e ka refuzuar këtë udhërrëfyes, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqet nga territori derisa Hamasi të çmontohet.
Sipas raportit, Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme pothuajse çdo ditë në Gazë, ndërsa edhe luftëtarët e Hamasit kanë vazhduar sulmet ndaj trupave izraelite.
“Çdo ditë që Izraeli vazhdon sulmet ndaj objektivave të Hamasit, shtyhet vënia në provë e gatishmërisë së Hamasit për të zbatuar marrëveshjen për udhërrëfyesin”, thuhet në raport.
“Ndërkohë, aktivitetet militante të Hamasit vazhdojnë, zotimi i palëve për t’i dhënë fund të gjitha aktiviteteve ushtarake nuk është përmbushur plotësisht dhe popullsia po përballet me një tjetër dimër në tenda dhe mes rrënojave”, thuhet më tej.
Më shumë se dy milionë palestinezë në Gazë jetojnë të kufizuar në rreth një të tretën e territorit bregdetar, kryesisht në tenda të improvizuara dhe ndërtesa të dëmtuara, në një zonë ku vazhdon të ketë prani të luftëtarëve të Hamasit. Ndërkohë, Izraeli kontrollon dy të tretat e territorit, të cilat në pjesën më të madhe janë rrafshuar dhe zbrazur nga popullsia.
Raporti kritikon gjithashtu qeverinë izraelite për “mungesë të vendimmarrjes” lidhur me masat për trajnimin dhe dislokimin e një force civile policore palestineze, e cila do ta zëvendësonte Hamasin në përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë në Gazë. Sipas dokumentit, kjo po pengon zbatimin e plotë të planit.
Një tjetër problem i evidentuar janë kufizimet izraelite ndaj furnizimeve dhe pajisjeve, si dhe mungesa e fondeve. Sipas raportit, këta faktorë kanë penguar banorët e Gazës të përgatiten dhe të përballen me përmbytjet sezonale.
Reshjet e dendura të shiut gjatë javës së kaluar përmbytën kampet e të zhvendosurve në pjesë të ndryshme të Gazës, ndërsa për këtë muaj janë parashikuar reshje të tjera.
Në anën tjetër, raporti thekson se Hamasi po mbledh taksa për mallrat që hyjnë në Gazë, veprim ky që ndikon në disponueshmërinë e produkteve bazë për popullsinë.
Bordi i Paqes u krijua nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur zbatimin e planit të tij për përfundimin e luftës në Gazë, të cilën Izraeli e nisi pas sulmeve të udhëhequra nga Hamasi nga territori palestinez, në tetor të vitit 2023.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





