“Black Friday”, dita e njohur për zbritjet e mëdha dhe ofertat e shumta, po humb gjithnjë e më shumë atraktivitetin në Zvicër. Ajo që dikur konsiderohej një nga ngjarjet më të rëndësishme të blerjeve gjatë vitit, tashmë po shihet si një situatë ku as konsumatorët dhe as tregtarët nuk dalin fitues.

Sipas një analize të Institutit Gottlieb Duttweiler (GDI), të publikuar nga mediumi zviceran SWI swissinfo.ch, ofertat e Black Friday po shkaktojnë gjithnjë e më shumë pakënaqësi te blerësit, ndërsa për bizneset nuk po sjellin përfitimet e pritshme.
Një anketë e realizuar në Zvicër me më shumë se 1 mijë persona tregon se 32 për qind e të anketuarve i kanë vlerësuar si zhgënjyese ofertat e Black Friday të vitit 2025.
Vetëm 10% i kanë konsideruar ato tërheqëse, shkruan Swissinfo, transmeton Telegrafi.
Pakënaqësia nuk kufizohet vetëm te konsumatorët. Edhe tregtarët po përballen me një situatë më pak fitimprurëse, pasi blerësit gjithnjë e më shumë po shfrytëzojnë uljet për të blerë produkte që gjithsesi kishin planifikuar t’i blinin.
Sipas analizës së GDI-së, shitjet shtesë të krijuara nga “Black Friday” vlerësohen në rreth 196 milionë franga zvicerane, por kjo shumë shoqërohet me një humbje të vlerës prej afërsisht 291 milionë frangash, si pasojë e uljeve të çmimeve.
Kjo nënkupton se zbritjet e mëdha nuk po përkthehen domosdoshmërisht në fitime më të larta për sektorin e shitjes me pakicë.
Një tjetër ndryshim vërehet edhe në kohëzgjatjen e fushatave promocionale. Gjithnjë e më shumë tregtarë po i zgjasin ofertat nga një ditë në një javë, apo edhe gjatë gjithë muajit nëntor.
Sipas GDI-së, kjo bën që shitjet të shpërndahen në më shumë ditë, pa sjellë rritje të përgjithshme të konsumit gjatë muajit.
Ndërkohë, kostoja e jetesës dhe inflacioni po ndikojnë në kujdesin e konsumatorëve ndaj shpenzimeve.
Platforma zvicerane blackfridaydeals.ch pret që qarkullimi në sektorin e shitjes me pakicë të produkteve joushqimore të mbetet në rreth 450 milionë franga këtë vit, duke ndalur rënien e regjistruar gjatë dy viteve të fundit.
Sipas të dhënave të publikuara nga platforma, shitjet online pritet të rriten për 10 milionë franga, në 130 milionë, ndërsa tregtia në dyqanet fizike parashihet të shënojë rënie të ngjashme, në 320 milionë franga.
Pavarësisht kësaj, të rinjtë e moshës 15 deri në 34 vjeç mbeten grupi më i interesuar për Black Friday. Më shumë se gjysma e tyre planifikojnë të blejnë gjatë kësaj periudhe, duke krahasuar ofertat në internet dhe duke zgjedhur vendin ku çmimi dhe vlera e produktit u përshtaten më së shumti.
Analiza e GDI-së arrin në përfundimin se “Black Friday” po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një situatë pa fitues: konsumatorët zhgënjehen nga ofertat, ndërsa tregtarët përballen me marzhe më të ulëta fitimi./Telegrafi/





