Rusia dhe Ukraina janë pajtuar për realizimin e shkëmbimit më të madh të të burgosurve që nga fillimi i luftës, gjatë bisedimeve dyditore të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Abu Dhabi.
Megjithatë, palët nuk kanë shënuar përparim të rëndësishëm drejt një marrëveshjeje më të gjerë për përfundimin e luftës.

Në këto bisedime, të parat të këtij niveli që nga muaji shkurt, të dyja palët u përfaqësuan nga delegacione të nivelit të lartë. Takimet u udhëhoqën nga të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, raporton The Guardian.
Anëtari i lartë i delegacionit ukrainas, David Arakhamia, tha se delegacioni rus kishte ardhur në bisedime me udhëzime shumë të rrepta, duke e bërë të vështirë përafrimin e qëndrimeve mes dy vendeve.
Megjithatë, ai vlerësoi se është shënuar përparim i madh sa i përket garancive të sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të luftës.
“Besoj se kemi një dinamikë të mirë për të arritur një zgjidhje para Vitit të Ri”, deklaroi Arakhamia.
Edhe Jared Kushner u shpreh optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, duke theksuar se negociatat janë të ndërlikuara dhe se lufta ka krijuar një situatë shumë të ndjeshme.
Ai tha se palët kanë elementet e nevojshme për një marrëveshje, por duhet të gjejnë mënyrën e duhur për t’i bashkuar ato në një zgjidhje konkrete.
Kushner bëri të ditur se shkëmbimi i planifikuar pritet të përfshijë më shumë se 1 mijë të burgosur nga secila palë. Sipas tij, ky proces do të ndihmojë në bashkimin e familjeve, ndërtimin e besimit dhe krijimin e një atmosfere më të favorshme për paqe.
Të dërguarit amerikanë pritet të udhëtojnë të enjten drejt Moskës, ku do t’i diskutojnë rezultatet e bisedimeve në Abu Dhabi me presidentin rus, Vladimir Putin. Më pas, ata do të shkojnë në Dublin, ku pritet të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, dhe përfaqësues të disa vendeve evropiane.
Megjithatë, çështja më e vështirë në negociata mbetet ajo e territoreve, për të cilën palët ende nuk kanë arritur pajtim.
Rusia vazhdon të kërkojë kontrollin e plotë mbi rajonin e Donbasit, përfshirë territoret që aktualisht kontrollohen nga Ukraina, si dhe pjesë të dy rajoneve jugore që ende nuk i ka pushtuar.
Zyrtari rus Vladimir Medinsky, i cili udhëhoqi delegacionin e Moskës, përsëriti qëndrimin e ashpër të Rusisë lidhur me pretendimet territoriale.
“Çdo pëllëmbë e tokës sonë do t’i kthehet Rusisë, në një mënyrë ose në një tjetër”, deklaroi ai, duke shtuar se Rusia do të jetë e kënaqur me negociatat vetëm kur të arrihet paqja sipas kushteve të saj.
Medinsky kërkoi gjithashtu krijimin e një sistemi të ri të sigurisë në Evropë, të cilin e krahasoi me marrëveshjet historike të Jaltës dhe Potsdamit, të arritura pas Luftës së Dytë Botërore.
Ky qëndrim ka shtuar shqetësimet në mesin e vendeve evropiane se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund të arrijnë një marrëveshje më të gjerë për sigurinë në kontinent, pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të shteteve evropiane.
Rusia duket se po rikthen kërkesat që ia kishte paraqitur NATO-s në vitin 2021. Ato përfshinin ndalimin e zgjerimit të mëtejshëm të Aleancës, duke përjashtuar kështu anëtarësimin e Ukrainës, kufizimin e pranisë së forcave dhe armatimit të NATO-s në vendet që iu bashkuan Aleancës pas vitit 1997, si dhe kufizime për vendosjen e raketave.
Këto kërkesa ishin refuzuar nga vendet perëndimore si të papranueshme. Disa javë më vonë, Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
Ndërkohë, të shqetësuara se e ardhmja e sigurisë evropiane mund të vendoset pa pjesëmarrjen e tyre, disa qeveri evropiane dërguan përfaqësues në Abu Dhabi për të ndikuar në procesin e negociatave, ndonëse nuk besohet se kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në bisedime.
Burimi: Dukagjini





