Ahold Delhaize dhe Colruyt njoftuan të hënën se një incident në sistemet e teknologjisë së informacionit, i ndodhur gjatë natës, preku frigoriferët dhe ngrirësit në dhjetëra dyqane në Belgjikë dhe Luksemburg.

Ndërkohë, rrjetet suedeze të supermarketeve ICA dhe Coop raportuan rritje të ngjashme të temperaturave, ku njëri prej dyqaneve e cilësoi ngjarjen si sulm kibernetik, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Këto incidente pasojnë një sulm të ndodhur në Francë muajin e kaluar, gjatë të cilit, sipas policisë, hakerët morën kontrollin e njësive ftohëse në qindra supermarkete.
Kjo çoi në rritjen e temperaturave deri në 50 gradë Celsius (122 gradë Fahrenheit), duke shkaktuar zjarre dhe humbje të produkteve ushqimore.
Muajin e kaluar, Ahold raportoi gjithashtu një incident të sigurisë kibernetike pranë policisë holandeze, pasi kishte konstatuar aktivitete të dyshimta në infrastrukturën e saj.
Zëdhënësja e zinxhirit të supermarketeve Delhaize, Sarah De Meester, deklaroi se të hënën u vërejtën rritje të temperaturave në sistemet e ftohjes. Kompania është duke hetuar incidentin.
Stephan Moelans, drejtori ekzekutiv i kompanisë belge të sistemeve të ftohjes “Sabcobel” – e cila menaxhon sistemet e Delhaize – i tha agjencisë së lajmeve “Belga” se bëhej fjalë për një sulm kibernetik, ku avulluesit e njësive ftohëse ishin kaluar në modalitetin e shkrirjes (defrost).
Zyra e Moelans nuk pranoi të komentonte kur u kontaktua nga agjencia “Reuters”.
Një zëdhënës i “Colruyt Group” – i cili operon dyqanet “Spar” në Belgjikë përmes një sistemi franshize – bëri të ditur se sistemet e ftohjes në pesë dyqane ishin vënë në shënjestër të sulmit.
Nga frigoriferët dhe sistemet e ngrohjes e deri te kamerat e sigurisë dhe rrjetet e alarmit, një gamë gjithnjë e më e gjerë pajisjesh – që dikur ishin kryesisht mekanike – tashmë mund të monitorohen dhe kontrollohen nga distanca, duke krijuar mundësi të reja për kriminelët kibernetikë.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje se kush mund të qëndrojë pas incidenteve të muajit të kaluar dhe askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për këto ngjarje. /Telegrafi/




