Banorët e lagjes Ulpiana në Prishtinë kanë rikonfirmuar kundërshtimin e tyre ndaj projektit “Ulpiana 2030 Legacy”, i cili parasheh ndërtimin e një parkingu nëntokësor te Fontana dhe të një objekti banesor në atë zonë.

Përmes një njoftimi publik, banorët kanë bërë të ditur se në takimin e mbajtur më 19 nëntor 2026 kanë riafirmuar qëndrimin kundër vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për realizimin e këtij projekti.
Ata kanë paralajmëruar se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet ligjore dhe format demokratike të veprimit për ta kundërshtuar vendimin, duke u zotuar se nuk do ta ndalin angazhimin deri në anulimin e tij.
Sipas banorëve, ky angazhim bëhet në mbrojtje të interesit të komunitetit dhe trashëgimisë së lagjes, për të cilën thonë se duhet të ruhet.
“Banorët u dakorduan që, në mbrojtje të interesit të tyre dhe trashëgimisë së lagjes, të shfrytëzojnë të gjitha mjetet ligjore dhe format demokratike të veprimit deri në anulimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim.
Ata kanë theksuar se vendimi i Kuvendit Komunal për projektin “Ulpiana 2030 Legacy” ende nuk është shfuqizuar.
“Ulpiana është shtëpia jonë. Ne jemi të vendosur ta mbrojmë!”, përfundon reagimi i banorëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





