Bajrami kërkon mobilizim juridik për rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Bajrami kërkon mobilizim juridik për rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Bajrami kërkon mobilizim juridik për rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Në një propozim të publikuar në profilin e tij në Facebook, Bajrami kërkon mobilizimin e ekspertizës juridike vendore dhe një angazhim të koordinuar institucional të Republikës së Kosovës, duke theksuar se faza e ardhshme e procesit duhet të përqendrohet në argumentet juridike, analizën e provave dhe identifikimin e shkeljeve të mundshme materiale dhe procedurale.

Sipas Bajramit, komisioni duhet të përbëhet nga gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë, prokurorë, avokatë penalistë, profesorë të së drejtës penale dhe ekspertë të së drejtës penale ndërkombëtare. Ai propozon që ky mekanizëm të jetë profesional, pluralist dhe i pavarur nga ndikimet partiake.

Sponsor 3M Express

Mandati i komisionit, sipas propozimit, do të përfshinte analizën e plotë juridike të aktgjykimit, shqyrtimin e mënyrës së administrimit dhe vlerësimit të provave, analizimin e përgjegjësisë individuale penale dhe identifikimin e kundërthënieve të mundshme ndërmjet dëshmive dhe konstatimeve të trupit gjykues.

Bajrami propozon gjithashtu që komisioni të përgatisë një dokument gjithëpërfshirës juridik, i cili do t’u vihej në dispozicion ekipeve të mbrojtjes si ekspertizë plotësuese për hartimin e ankesave.

“Beteja e ardhshme është ekskluzivisht juridike”, thekson Bajrami në propozimin e tij, duke argumentuar se mbrojtja e të akuzuarve duhet të mbështetet në prova konkrete, argumente profesionale dhe standardet e së drejtës penale ndërkombëtare.

Ai kërkon që puna e komisionit të zhvillohet paralelisht me angazhimin e ekipeve të mbrojtjes, pa pritur përfundimin e ekspertizës dhe pa rrezikuar respektimin e afateve procedurale të ankimimit.

Në dokumentin e publikuar, akademiku Bajrami identifikon disa drejtime kryesore ku, sipas tij, duhet të përqendrohet analiza juridike në shkallën e dytë. Ato përfshijnë konstatimin e gjendjes faktike, përgjegjësinë individuale penale, besueshmërinë e dëshmitarëve, kontekstin historik të luftës në Kosovë, strukturën organizative dhe komanduese të UÇK-së, si dhe pretendimet për ekzistencën e një plani apo qëllimi kriminal.

Një vëmendje të veçantë Bajrami i kushton edhe mundësisë së identifikimit të dëshmitarëve dhe provave shtesë që mund të paraqiten në procedurën ankimore. Ai vlerëson se mbrojtja duhet të ndërtojë një bazë më të gjerë provuese, duke u përqendruar te dëshmitarët me njohuri të drejtpërdrejta për ngjarjet konkrete, vendndodhjet dhe strukturat organizative.

Në propozimin e tij përfshihet edhe kërkesa për monitorim të pavarur ndërkombëtar të respektimit të standardeve të gjykimit të drejtë në Dhomat e Specializuara. Në këtë drejtim, Bajrami kërkon angazhim të organizatave profesionale ndërkombëtare dhe vëmendje ndaj standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, prezumimit të pafajësisë, barazisë së armëve dhe të drejtës për mbrojtje efektive.

Ai propozon gjithashtu që institucionet më të larta të Kosovës, përfshirë Presidenten, Kryeministrin dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, të zhvillojnë një angazhim të koordinuar diplomatik me shtetet donatore të Dhomave të Specializuara dhe shtetet mike të Kosovës, me qëllim të kërkimit të mbështetjes për monitorim të pavarur dhe ekspertizë juridike ndërkombëtare.

Një pjesë të veçantë të propozimit, Bajrami ia kushton edhe përvojës së Kroacisë në rastin e gjeneralëve Ante Gotovina dhe Mladen Markač, të cilët fillimisht ishin dënuar në shkallën e parë nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndërsa më 16 nëntor 2012 u liruan nga Dhoma e Apelit.

Ai propozon që ky rast të studiohet në aspektin e standardeve të vlerësimit të provave, përgjegjësisë individuale penale dhe mënyrës se si Dhoma e Apelit kishte shqyrtuar konstatimet e shkallës së parë.

Në përfundim, Bajrami propozon tetë masa konkrete, ndër të cilat themelimin e komisionit shtetëror, përgatitjen e ekspertizës juridike, identifikimin e provave dhe dëshmitarëve shtesë, angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë, monitorimin e pavarur dhe aktivizimin e diplomacisë kosovare.

“Lufta e UÇK-së duhet të mbrohet përmes së vërtetës historike, ndërsa pafajësia e të akuzuarve duhet të argumentohet përmes provave dhe standardeve të së drejtës penale”, thuhet në propozimin e akademikut Arsim Bajrami.

Ai e përmbyll qëndrimin e tij me kërkesën që institucionet e Kosovës të veprojnë pa vonesa, duke theksuar se ekspertiza juridike vendore dhe koordinimi institucional duhet të angazhohen menjëherë, ndërsa ekipet e mbrojtjes duhet të ruajnë autonominë e tyre profesionale dhe të respektojnë afatet e procedurës ankimore.

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

Sipërmarrësi i njohur i orave uron Rexhep Rexhepin pasi fitoi çmimin: Sa më shumë e analizoja orën e tij, aq më shumë e dija që do të fitonte

Sipërmarrësi i njohur i orave uron Rexhep Rexhepin pasi fitoi çmimin: Sa më shumë e analizoja orën e tij, aq më shumë e dija që do të fitonte

Trump takohet me kryeministrin e Katarit, negociatat me Iranin përballen me pengesa

Trump takohet me kryeministrin e Katarit, negociatat me Iranin përballen me pengesa

“I qetë pas vjedhjes së 60 mijë eurove në një bankë në Tiranë” – momenti kur i dyshuari largohet me monopatinë

“I qetë pas vjedhjes së 60 mijë eurove në një bankë në Tiranë” – momenti kur i dyshuari largohet me monopatinë