Pas reagimeve të shumta për trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje, Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar më shumë përkushtim dhe vigjilencë nga prokurorët e shtetit, veçanërisht gjatë kujdestarive.

Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Pejës, Valbona Disha-Haxhosaj, ka mbajtur takim me prokurorët dhe stafin administrativ të këtij institucioni, pas emërimit të saj në këtë pozitë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Në takim, Disha-Haxhosaj u ka kërkuar prokurorëve që të reagojnë me kohë dhe të sigurojnë trajtim profesional të secilit rast, duke vënë theksin te rastet që trajtohen gjatë kujdestarive.
Ky zhvillim vjen pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Pejë, rast që ka nxitur reagime dhe protesta, si dhe ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave.
Në kuadër të ndryshimeve të brendshme, Disha-Haxhosaj ka caktuar prokurorin Ermal Demhasaj koordinator të rasteve të dhunës në familje, për një periudhë të pacaktuar.
Ajo ka kërkuar gjithashtu nga stafi administrativ angazhim më të madh, respektim të dispozitave ligjore dhe shmangie të lëshimeve eventuale.
Megjithatë, përtej kërkesave për vigjilencë dhe përkushtim, mbetet e rëndësishme që këto zotime të përkthehen në veprime konkrete, në mënyrë që rastet e dhunës në familje të mos mbeten vetëm dosje nëpër institucione.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




