Arabia Saudite po përgatitet që konflikti i saj me rebelët Huthi në Jemen të vazhdojë edhe gjatë vitit 2027, pavarësisht pengesave në frontin e luftës dhe sulmeve që kanë ndikuar në jetën e përditshme brenda mbretërisë.

Kështu kanë bërë të ditur dy zyrtarë perëndimorë, të cilët janë informuar nga pala saudite për planet e saj, transmeton klankosova.tv
Konflikti i ripërtërirë është shndërruar në një nga frontet më aktive të luftës më të gjerë me Iranin.
Sipas Reuters, luftimet kanë shkaktuar mijëra të vrarë dhe të plagosur, si dhe kanë detyruar qindra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në Jemen.
Përshkallëzimi i konfliktit ka dëmtuar gjithashtu përpjekjet e Arabisë Saudite për të tërhequr investime në sektorët jashtë industrisë së naftës dhe për të organizuar ngjarje me rëndësi globale.
Sipas zyrtarëve perëndimorë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti, autoritetet saudite tashmë parashikojnë që fushata ushtarake të vazhdojë edhe për gjashtë muaj të tjerë.
Synimi i Riadit është që aleatët e tij në Jemen të arrijnë përparime në terren përpara se të nisin negociatat me rebelët Huthi.
Edhe një burim i tretë, i njohur me planet saudite, ka konfirmuar këto informacione. Sipas burimeve, një marrëveshje për përfundimin e luftës më të gjerë me Iranin mund të ndikojë edhe në uljen e intensitetit të konfliktit në Jemen.
I njëjti burim ka bërë të ditur se Riadi beson se mbështetja ushtarake sulmuese nga Shtetet e Bashkuara për operacionet saudite në Jemen mund të ndryshojë rrjedhën e luftës. Administrata e presidentit amerikan Donald Trump deri më tani nuk e ka ofruar një mbështetje të tillë.
Sipas këtij vlerësimi, mbështetja amerikane mund t’u mundësonte forcave të mbështetura nga Arabia Saudite të arrinin objektivat e tyre brenda disa javësh.
Ndërkaq, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme saudite ka refuzuar të komentojë deklaratat e atribuuara zyrtarëve të mbretërisë.
Arabia Saudite u përfshi për herë të parë në konfliktin e Jemenit në vitin 2015, në krye të një koalicioni arab, me synimin për ta rikthyer në pushtet qeverinë jemenase, pasi rebelët Huthi morën kontrollin e kryeqytetit Sana dhe pjesës më të madhe të vendit.
Luftimet vazhduan për vite me radhë pa një fitues të qartë, ndërsa në vitin 2022 palët arritën një armëpushim, i cili zgjati deri në verën e këtij viti.
Që nga rifillimi i luftimeve, rebelët Huthi kanë marrë nën kontroll bregdetin e Detit të Kuq dhe Ngushticën strategjike të Bab el-Mandebit, duke larguar nga këto pozicione forcat e mbështetura nga Arabia Saudite.
Gjithashtu, ata kanë rrethuar qytetin e Taizit, në zonat malore mbi Adenin, kryeqytetin e përkohshëm të qeverisë jemenase, që ndodhet në jug të vendit.
Forcat qeveritare të Jemenit ndërmorën një kundërofensivë muajin e kaluar dhe arritën të rimarrin disa territore përreth ngushticës. Megjithatë, gjatë fundjavës së kaluar, ato u tërhoqën për të mbrojtur qytetin e Adenit, duke pësuar një tjetër goditje të rëndë në frontin e luftës. /Klankosova.tv





