Kamberi në Parlamentin e Serbisë: Të drejtat dhe barazia e shqiptarëve në Luginë janë të panegociueshme

Kamberi në Parlamentin e Serbisë: Të drejtat dhe barazia e shqiptarëve në Luginë janë të panegociueshme

Kamberi në Parlamentin e Serbisë: Të drejtat dhe barazia e shqiptarëve në Luginë janë të panegociueshme

Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, në fjalimin e tij para Parlamentit të ri të Serbisë, ka theksuar se të drejtat dhe barazia e shqiptarëve në Luginën e Preshevës janë të panegociueshme, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim politik me shumicën e re parlamentare.

Sponsor 3M Express

Kamberi përgëzoi Listën Studentore për fitoren bindëse zgjedhore dhe u bëri thirrje deputetëve të rinj që ndryshimi politik në Serbi të shoqërohet edhe me një qasje të re ndaj pakicave kombëtare dhe të drejtave të tyre.

Ai theksoi se kërkesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk janë të reja, por mbeten të pazgjidhura prej më shumë se 36 vjetësh.

“Gatishmëria për partneritet nuk do të thotë gatishmëri për konformizëm. Hapja ndaj dialogut nuk do të thotë braktisje e parimeve, ndërsa bashkëpunimi politik nuk mund të zëvendësojë përmbushjen e të drejtave”, deklaroi Kamberi.

Gjatë fjalimit, deputeti shqiptar paraqiti një sërë çështjesh që, sipas tij, institucionet e Serbisë duhet t’i adresojnë. Ndër kërkesat kryesore përmendi përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore, polici, gjyqësor dhe shërbimet publike.

Ai kërkoi gjithashtu njohjen e diplomave të fituara në universitetet e Kosovës, investime ekonomike dhe zhvillim për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, si dhe ndërprerjen e praktikës së çregjistrimit administrativ të adresave, që ka prekur shqiptarët në Luginë.

Në listën e kërkesave përfshihen edhe përmirësimi i arsimit në gjuhën shqipe, sigurimi i teksteve shkollore, respektimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe zhbllokimi i fondeve që Kosova ndan për Këshillin Kombëtar Shqiptar.

Kamberi rikujtoi se ekzistojnë tashmë dokumente dhe korniza për zgjidhjen e këtyre problemeve, duke përmendur Planin Shtatë Pikash dhe Planin e Veprimit të vitit 2022.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, Serbia i ka trajtuar shqiptarët ndër dekada, duke thënë se ata janë parë përmes prizmit të paragjykimeve të sigurisë, dyshimit politik dhe mosbesimit historik.

“Shumë shpesh, ata janë trajtuar si të padëshiruar, si një problem që duhet kontrolluar, madje edhe si një lloj ‘armiku të përhershëm’”, u shpreh Kamberi.

Duke folur për raportin me shumicën e re parlamentare, ai tha se qëndrimi i përfaqësuesve shqiptarë do të përcaktohet nga veprimet konkrete dhe jo nga deklaratat apo etiketat politike.

Kamberi bëri të ditur se do të mbështesin iniciativat që kontribuojnë në demokratizimin e Serbisë, forcimin e institucioneve, avancimin e të drejtave të qytetarëve dhe integrimin evropian të vendit.

Megjithatë, ai theksoi se kjo gatishmëri për bashkëpunim nuk nënkupton heqje dorë nga kërkesat e shqiptarëve në këmbim të posteve politike apo gjesteve simbolike.

“Mund të diskutojmë mënyrën, ritmin dhe mekanizmat institucionalë për zgjidhjen e këtyre problemeve. Por nuk mund të negociojmë vetë të drejtën për barazi”, deklaroi ai.

Në përfundim të fjalimit, Kamberi theksoi se përfaqësuesit shqiptarë nuk kanë hyrë në Parlamentin e Serbisë për të kërkuar pozita në qeveri, por për të përfaqësuar dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.

“Ne nuk jemi këtu për të kërkuar një pozicion në pushtet. Ne jemi këtu për të luftuar për vendin e shqiptarëve brenda institucioneve të këtij shteti”, përfundoi Kamberi.

Lexo edhe

Fëmijë me IVF, Besi tregon pse vendosën ta ndajnë lajmin për shtatzëninë e Valirës në Big Brother (VIDEO)

Fëmijë me IVF, Besi tregon pse vendosën ta ndajnë lajmin për shtatzëninë e Valirës në Big Brother (VIDEO)

Vizita e Jakup Krasniqit drejt përfundimit, EULEX-i kthehet te shtëpia e tij

Vizita e Jakup Krasniqit drejt përfundimit, EULEX-i kthehet te shtëpia e tij

Gazmend Muhaxheri mbërrin në Komisionin për rastin e Arlindës

Gazmend Muhaxheri mbërrin në Komisionin për rastin e Arlindës