Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për sulm ndaj personit zyrtar, pas një përleshjeje fizike në një lokal në Mitrovicën e Veriut.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 18 nëntor 2026, rreth orës 01:20, në rrugën “Boris Kidriç”, ku Policia kishte pranuar informatë për një përleshje fizike.
Njësitë policore që kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë kuptuar se dy zyrtarë policorë, të cilët në atë kohë ishin jashtë detyrës zyrtare dhe po qëndronin në lokal, fillimisht ishin ofenduar nga disa persona lidhur me punën e tyre zyrtare.
Më pas, pasi kishin dalë jashtë lokalit, ata dyshohet se janë sulmuar fizikisht. Si pasojë, njëri nga zyrtarët policorë ka pësuar lëndime të rënda trupore, sipas vlerësimit të mjekut kujdestar.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka arrestuar dy persona të dyshuar, S.L. (2001) dhe U.L. (2005).
Gjatë verifikimeve, është konstatuar se i dyshuari S.L. posedonte disa armë me leje në adresën e tij të banimit në Mitrovicën e Veriut. Këto armë janë sekuestruar nga Policia, sipas udhëzimeve të prokurorit të shtetit.
Ndërkohë, gjatë hetimeve të mëtejshme dhe punës intensive, hetuesit rajonalë kanë arritur të identifikojnë edhe dy persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në rast, N.M. (2004) dhe L.M. (2005), të dy me vendbanim në Mitrovicën e Veriut.
Edhe këta dy persona janë shoqëruar në stacionin policor, ndërsa te njëri prej tyre është gjetur një armë me leje, e cila gjithashtu është sekuestruar.
Të katër të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me aktvendim ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ata do të hetohen për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Policia ka bërë të ditur se, në koordinim me prokurorin e shtetit, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe procedimin e personave të përfshirë.
Ndërkaq, qytetarët janë ftuar që rastet e dyshimta t’i raportojnë në numrin 192.
Burimi: Insajderi





