Apeli vërteton burgimin e përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, Kushtrim Kokalla dënohet me 30 vjet burgim

Apeli vërteton burgimin e përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, Kushtrim Kokalla dënohet me 30 vjet burgim

Apeli vërteton burgimin e përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, Kushtrim Kokalla dënohet me 30 vjet burgim

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar dënimet e shqiptuara ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, me burgim të përjetshëm, si dhe dënimin prej 30 vjetësh burgim ndaj Kushtrim Kokallës, për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Sponsor 3M Express

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës së Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësve të të akuzuarve dhe mbrojtësit të palës së dëmtuar, duke e lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 6 korrik 2026.

Me aktgjykimin e shkallës së parë, Naim Murseli dhe Granit Plava ishin dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, ndërsa Kushtrim Kokalla ishte dënuar me 30 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se dispozitivi i tij është i qartë dhe në përputhje me arsyetimin.

Sipas Apelit, pretendimet e palëve për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe për shkelje të ligjit penal, nuk qëndrojnë.

Kolegji gjykues ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë i ka vërtetuar drejt faktet dhe rrethanat e rastit, duke dëshmuar se të akuzuarit kanë ndërmarrë veprimet inkriminuese për të cilat janë shpallur fajtorë.

Në arsyetimin për vërtetimin e dënimeve, Apeli ka veçuar si rrethana rënduese shkallën e lartë të dashjes, mënyrën e kryerjes së veprës penale, moshën e re të viktimës dhe faktin se ajo ishte e pambrojtur.

Për Naim Murselin, si rrethanë rënduese është marrë edhe motivi i përfitimit material, ndërsa për Murselin dhe Plavën është theksuar se vrasja ishte kryer në praninë e dy fëmijëve të Liridona Ademajt.

Po ashtu, gjykata ka marrë parasysh planifikimin e detajuar të vrasjes para kryerjes së saj, si dhe sjelljet e të akuzuarve pas ngjarjes.

Në arsyetimin e Apelit thuhet se pas vrasjes, të akuzuarit kishin vazhduar aktivitetet e tyre, përfshirë daljet në lokale, pa shfaqur dhimbje për viktimën.

Sa i përket dënimit të Kushtrim Kokallës, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se dënimi prej 30 vjetësh burgim është në përputhje me ligjin, pasi për rastet kur një person ndihmon në kryerjen e veprës penale, parashihet shqiptimi i një dënimi më të butë sesa për kryerësin e saj.

Apeli ka theksuar se, për këtë arsye, gjykata e shkallës së parë nuk ka pasur mundësi që Kokallës t’ia shqiptojë dënimin me burgim të përjetshëm.

Gjykata e Apelit ka lënë të paprekur edhe pjesën e aktgjykimit me të cilën ishte refuzuar akuza ndaj Kokallës për moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre, pasi Prokuroria ishte tërhequr nga kjo akuzë gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Me këtë vendim, mbeten në fuqi dënimet prej burgimit të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Thellohet përçarja në LDK-në e Obiliqit, Dega del kundër vendimit të Abdixhikut për emërimin e Koordinatorit

Thellohet përçarja në LDK-në e Obiliqit, Dega del kundër vendimit të Abdixhikut për emërimin e Koordinatorit

Konjufca në Athinë kërkon nga Greqia njohjen e pavarësisë së Kosovës

Konjufca në Athinë kërkon nga Greqia njohjen e pavarësisë së Kosovës

Humb jetën punëtori pasi u godit nga rryma gjatë vendosjes së dritave në një bredh

Humb jetën punëtori pasi u godit nga rryma gjatë vendosjes së dritave në një bredh