Përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës në Obiliq kanë dalë në pah pas emërimit të një koordinatori nga udhëheqja qendrore e partisë. Nënkryetari i Degës, Ibush Mjekiqi, përmes një shkrese drejtuar kryetarit Lumir Abdixhiku, ka kërkuar tërheqjen e autorizimit për caktimin e koordinatorit, duke kundërshtuar mënyrën se si është marrë ky vendim.

Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Insajderi, të datës 18 nëntor 2026, Mjekiqi i drejtohet Abdixhikut, nënkryetarëve të LDK-së dhe sekretarit të përgjithshëm, Ilir Ferati, duke shprehur kundërshtimin ndaj autorizimit me numër 93/26, të lëshuar më 17 nëntor.
Përmes këtij autorizimi, sipas shkresës, është caktuar një koordinator për Degën e LDK-së në Obiliq, pa konsultim paraprak me Kryesinë e Degës, nënkryetarët, anëtarët e Kryesisë, kryetarët e nëndegëve dhe asambleistët e partisë.
Mjekiqi e konsideron këtë veprim të njëanshëm, pasi, sipas tij, nuk është paraqitur asnjë bazë statutare apo arsyetim për një vendim të tillë.
Në shkresë, ai thekson se pas dorëheqjes së ish-kryetarit të Degës, Xhafer Gashi, strukturat lokale kanë vazhduar punën dhe ushtrimin e përgjegjësive në përputhje me Statutin e LDK-së. Sipas tij, detyrat dhe përgjegjësitë e kryetarit pas dorëheqjes së tij i vazhdon njëri nga nënkryetarët.
Për të mbështetur kundërshtimin e tij, Mjekiqi i referohet nenit 30 të Statutit të LDK-së, i cili parasheh se në raste të veçanta mund të pezullohet puna e kryesisë së degës, nëndegëve dhe organeve të tjera përkatëse, deri në vendimin përfundimtar të Këshillit të Përgjithshëm.
“Çdo ndërhyrje në funksionimin e organeve të Degës duhet të ketë bazë statutare dhe të bëhet përmes procedurave përkatëse, e jo përmes vendimeve individuale dhe të njëanshme”, thuhet në dokument.
Nënkryetari i Degës së LDK-së në Obiliq paralajmëron se veprimet e tilla mund të dëmtojnë organizimin e partisë në këtë komunë, të cenojnë besimin e anëtarësisë dhe të shkaktojnë pakënaqësi që mund të rezultojnë me largimin e anëtarëve dhe strukturave partiake.
Ai thekson se Dega e LDK-së në Obiliq ka strukturat e saj organizative dhe përfaqësimin statutor, duke kundërshtuar çdo ndërhyrje që, sipas tij, nuk mbështetet në rregullat e brendshme të partisë.
Ndërkohë, Arben Berisha, përmes një postimi më 22 nëntor, ka bërë të ditur se është emëruar koordinator i Degës së LDK-së në Obiliq, me vendim të sekretarit të përgjithshëm, Ilir Ferati.
“Me vendim të Sekretarit të LDK-së, z. Ilir Ferati, jam emëruar Koordinator i LDK-së – Dega në Obiliq, pas angazhimit tim si Sekretar i Degës dhe që nga Forumi Rinor i LDK-së”, ka shkruar Berisha.
Burimi: Insajderi





