Sikur ta bindnim të ndalonte së sabotuari veten.

Burimi: The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Presidenti Trump bëri disa gjëra të mëdha gjatë dy viteve të fundit. Na dha një ekonomi të fuqishme, uli taksat, u mor me shpërdorimet qeveritare, mbylli kufirin dhe dëboi 1.2 milion emigrantë të paligjshëm.
Për herë të parë në 47 vjet, u përballëm me kërcënimin e Iranit – sponsorin kryesor të terrorizmit ndërkombëtar, i cili po lëvizte pa pushim drejt armëve bërthamore.
Megjithatë, e gjithë kjo mund të zhbëhet.
Rezultatet e masakrës së zgjedhjeve të mesmandatit mund të shpjegohen vetëm si refuzim i z. Trump – më pak i politikave të tij sesa i personalitetit të tij.
Në Teksasin tradicionalisht republikan, shtet të cilin z. Trump e fitoi me diferencë dyshifrore më 2024, republikanët humbën çdo post ekzekutiv në nivel shteti që ishte në fletëvotim. Para vitit 2026, hera e fundit kur ndonjë demokrat kishte fituar garën për Senatin në Teksas ishte më 1988.
Një demokrat u zgjodh në Senat nga Kansasi – për herë të parë në 94 vjet. Më 2026, demokratët fituan numrin më të madh të vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve që nga zgjedhjet e mesmandatit të 2018-ës dhe do të kenë shumicën e tyre më të madhe në Dhomë që nga viti 1990.
Votuesit zgjodhën atraksione të shfaqjeve anësore, si Abdul El-Sayed, demokrat nga Miçigani – i cili do ta bëjë betimin ose mbi Kuran ose mbi “Manifestin Komunist” – dhe James Talarico, demokrat nga Teksasi, i cili duket si vëllai i madh i [karakterit televiziv] Beaver Cleaver, Wally, dhe që flet për gjashtë gjini dhe një Zot jobinar. “Ua, zonja Cleaver, a mund të dalë Beavi dhe të na ndihmojë ta shkatërrojmë Amerikën”?
Presidenti harroi një rregull themelor të politikës: njerëzit duan ta pëlqejnë njeriun që i udhëheq.
Siç shpjegon Bill Donohue, president i Ligës Katolike për të Drejtat Fetare dhe Civile: “Personalitetit publik i zyrtarëve ka rëndësi. Reaganin ishte e pamundur të mos e pëlqeje, prandaj ai mund t’i kapërcente disa vendime jopopullore. Por, nëse një president nuk është i pëlqyeshëm – Nixoni dhe Trumpi – ai nuk mund t’i kapërcejë vendimet e këqija”.
Nganjëherë dukej sikur presidenti bënte gjithçka që ishte e mundur për ta bërë veten të papëlqyeshëm dhe pastaj i sfidonte votuesit të mos e pëlqenin.
Disa nga komentet e tij të bëra shkarazi shkuan përtej shijes së keqe, si në rastin kur tha se vrasjet e regjisorit Rob Reiner dhe të shoqes së tij lidheshin me sindromën e çrregullimit nga Trumpi. Kjo tregoi një pandjeshmëri tronditëse ndaj familjes në zi.
Ai hapi kufij të rinj të arrogancës dhe të pompozitetit në një kohë kur shtresa e mesme ishte në ankth për rritjen e kostos së banimit dhe kujdesit shëndetësor. Jeta në luks në një kohë kur kaq shumë njerëz ishin të detyruar të jetonin me më pak, nuk e bëri më të dashur për votuesit.
Nganjëherë ai sillej më shumë si perandor romak sesa si president i ShBA-së, si në rastin kur u përpoq ta shtonte emrin e vet krahas atij të ish-presidentit John F. Kennedy në qendrën e arteve dhe planifikoi të ndërtonte një Hark Triumfi pranë Varrezave Kombëtare të Arlingtonit.
Një ditë pas zgjedhjeve të mesmandatit, ai u mburr me mermerin e rrallë që po planifikon ta përdorë në sallën e re të ballove të Shtëpisë së Bardhë. Ishte vërtet një moment Marie Antoinette.
Premtimi i z. Trump për t’i dhënë çdo amerikani të rritur pesë mijë dollarë, me kusht që partia e tij ta ruante kontrollin e Kongresit, ishte përpjekje e ngathët për të blerë vota.
Nganjëherë duket sikur presidenti e krijon realitetin e vet. Pasi dolën rezultatet, z. Trump deklaroi: “Patëm një palë zgjedhje të vogla interesante. Unë nuk isha në fletëvotim. Ju lutem, mbajeni mend këtë”.
T’i quash zgjedhjet e vitit 2026 “një palë zgjedhje të vogla interesante” është si ta quash Betejën e Litël Bighornit përleshje. Po të kishte qenë ai në fletëvotim, do të kishte qenë edhe më keq.
Sipas sondazheve të NBC-së dhe Reuters-it, 75 përqind e votuesve thanë se ishin të pakënaqur ose të zemëruar me drejtimin e vendit, 65 përqind thanë se politikat e z. Trump e kishin përkeqësuar ekonominë dhe 62 përqind e fajësuan atë për çmimet e larta.
Votuesit mendojnë se lufta me Iranin është zgjatur së tepërmi. Problemi nuk është vetë lufta, por mënyra se si është zhvilluar. Deklaratat e presidentit janë udhëtim me slitën e luhatjeve të pavendosmërisë. Herë është thënë se Irani dëshiron marrëveshje, herë se jemi në prag të arritjes së marrëveshjes dhe herë se nuk na intereson nëse arrijmë marrëveshje ose jo. Ndoshta do të fillojmë të bombardojmë përsëri.
Z. Trump e humbi luftën kur tha se nuk do të kishte trupa në terren. Mund t’i shkatërrosh objektet bërthamore dhe infrastrukturën dhe ta dobësosh ushtrinë e Iranit me bombardime, por nuk do ta rrëzosh kurrë regjimin pa trupa që do ta largojnë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike prej pozicioneve të fortifikuara.
Mënyra se si presidenti është përpjekur ta mikromenaxhojë luftën me Iranin, ta kujton keqmenaxhimin e Luftës së Vietnamit nga presidenti Lyndon B. Johnson.
Rruga për konservatorët është ta mbështesin z. Trump aty ku mundemi – përfshirë shpëtimin e sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe miratimin e kërkesës për dokument identifikimi të votuesit – dhe të largohemi aty ku nuk mundemi.
Tani, sikur vetëm ta bindnim presidentin të ndalonte së sabotuari veten … /Telegrafi/





