Në kuadër të një aksioni të gjerë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Prizren, nën dyshimet për kontrabandë me barna. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar mijëra paketime me produkte medicinale.

Operacioni është zhvilluar pas hetimeve intensive lidhura me dyshimet për tregti të paligjshme dhe shpërndarje të barnave pa banderola dhe pa origjinë të verifikuar. Autoritetet bastisën disa lokacione, përfshirë depo dhe biznese, ku u gjetën sasi të mëdha medikamentesh të kontrabanduara që dyshohet se hynë në tregun vendor përmes rrugëve ilegale. Edhe pse bëhet fjalë për mallra të kontrabanduara, ky aksion u zhvillua nga Policia, por jo nga agjencia që duhet ta bënte: Dogana e Kosovës.
Sipas raportimeve të Sinjalit, dy personat e ndaluar në këtë aksion janë Shaban Hashani dhe Ozan Findiku, të cilët janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim dhe ndaj tyre pritet të ngrihen kallëzime penale për veprat penale lidhur me kontrabandën dhe rrezikimin e shëndetit publik.
Mallrat e sekuestruara janë dërguar për verifikim shtesë në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe institucionet shëndetësore kompetente, ndërsa hetimet për të zbuluar rrjetin e plotë të kësaj veprimtarie të paligjshme vijojnë.
Burimi: Insajderi




