Kur përballeni me shqetësime në stomak, qoftë pas konsumimit të një ushqimi që nuk ju ka bërë mirë apo pa ndonjë arsye të qartë, ushqimi shpesh nuk ju shijon dhe kërkoni diçka të ngrohtë që mund t’ju qetësojë.

Shumë njerëz zgjedhin pijet e gazuara me shije xhenxhefili, të cilat shpesh janë përdorur që në fëmijëri si një mënyrë për të lehtësuar shqetësimet e stomakut.
Megjithatë, sipas revistës “Real Simple”, çaji i xhenxhefilit mund të jetë një alternativë më e mirë.
Foto ilustruese
Alyssa Simpson, dietologe e regjistruar dhe specialiste e certifikuar për ushqyerjen gastrointestinale, rekomandon çajin e xhenxhefilit të kombinuar me bimë të tjera, si elmi i kuq dhe rrënja e mëllagës së bardhë.
Sipas saj, xhenxhefili mund të ndihmojë në lehtësimin e të përzierave, ndërsa bimët e tjera përdoren tradicionalisht për qetësimin e mukozës së irrituar, përfshirë atë të traktit tretës.
Çaji mund të përgatitet edhe me rrënjë të freskët xhenxhefili, të prerë në feta dhe të zier në ujë.
Një detaj i rëndësishëm është temperatura e pijes.
Rekomandohet që çaji të lihet të ftohet deri në një temperaturë të përshtatshme dhe të pihet ngadalë, veçanërisht në rastet kur keni të përziera.
Pijet shumë të nxehta mund të irritojnë edhe më shumë indet që synohet të qetësohen.
Kjo përzierje mund të jetë e dobishme edhe kur shqetësimet e lehta të tretjes shoqërohen me ngërçe gjatë menstruacioneve apo parehati në stomak pas konsumimit të tepërt të ushqimit.
Ndërkohë, edhe çaji i mentes përdoret tradicionalisht për të ndihmuar tretjen.
Megjithatë, Simpson thekson se ai mund të përkeqësojë refluksin, ndërsa dëshmitë më të forta shkencore për lehtësimin e ngërçeve të zorrëve lidhen me kapsulat që përmbajnë vaj menteje, dhe jo domosdoshmërisht me vetë çajin.
Çaji i xhenxhefilit, me ose pa përbërësit e tjerë bimorë, përgjithësisht tolerohet mirë edhe nga personat që kanë prirje për refluks.
Megjithatë, në rastet e shqetësimeve më të forta, si infeksionet virale të stomakut, duhet pasur më shumë kujdes.
Nëse keni të vjella ose diarre, prioritet duhet të jetë hidratimi i organizmit.
Sipas dietologes, uji i zakonshëm mbetet një zgjedhje e mirë, veçanërisht nëse çaji i xhenxhefilit apo përbërësit e tjerë bimorë jua përkeqësojnë gjendjen.
Në këto raste, uji në temperaturë ambienti ose pak i freskët zakonisht tolerohet më lehtë.
Rekomandohet të pihet në gllënjka të vogla dhe ngadalë, në mënyrë që organizmi ta përballojë më mirë. /Telegrafi/




