Udhëheqësi 49-vjeçar dyshohet se dha urdhra nga brenda burgjeve të Trikalës – Si u organizuan sulmet dhe cili ishte roli i bashkëpunëtorëve të tij?

Gazeta greke Protothema ka publikuar pamje nga veprimtaria e anëtarëve të një organizate kriminale, të cilët akuzohen për gjobëvënie, zhvatje, kërcënime dhe shpërthime si shpagim për refuzues dhe paralajmëruese për të tjerë që hezitonin.
Si drejtues i grupit paraqitet një shtetas shqiptar, i dënuar për krime të rënda dhe i burgosur në burgun e Trikalas.
Bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dyshohet se janë një rom i burgosur në burgun e Malandrinos, dy egjiptianë të burgosur në institucionet e vuajtjes së dënimit në Avlona dhe Malandrino, si dhe pesë të rinj të tjerë që janë arrestuar. Që të gjithë janë të moshave midis 17 deri 21 vjeç.
Në pamjet e publikuara shfaqen sulmet me granata dore që të akuzuarit kryen në dy lokale në qendër të Athinës, në fillim të shtatorit.
Në pamjen e mëposhtme është regjistruar sulmi i kryer në fillim të tetorit ndaj njërit prej këtyre dy lokaleve. Autorët kalojnë përpara lokalit, hedhin një granatë dore në ambientin ku ndodheshin klientët dhe më pas largohen.
Fatmirësisht, granata nuk shpërtheu.
Mënyra e veprimit të grupit
Siç rezultoi nga hetimet, të akuzuarit ishin pjesë e një organizate kriminale me veprimtari të vazhdueshme, strukturë të qëndrueshme të brendshme, hierarki të përcaktuar dhe ndarje të qartë të roleve. Rolin drejtues në këtë organizatë dyshohet se e kishte një 49-vjeçar i dënuar për krime të rënda.
Më konkretisht, 49-vjeçari, pavarësisht se ndodhej në burg, ruante kontrollin operacional të organizatës. Ai përcaktonte objektivat e sulmeve, vlerësonte informacionet e mbledhura gjatë fazës përgatitore, u jepte udhëzime anëtarëve të tjerë dhe mbikëqyrte realizimin e veprimtarive kriminale.
Anëtarët e tjerë merrnin përsipër, sipas rastit, mbledhjen e informacioneve për objektivat e përzgjedhur, vëzhgimin e banesave dhe vendeve me interes, identifikimin e personave dhe automjeteve, si dhe fotografimin dhe hartëzimin e zonave.
Ata kujdeseshin gjithashtu për sigurimin e mjeteve të nevojshme, kryerjen e sulmeve dhe largimin nga vendngjarjet pas realizimit të veprimeve kriminale.
Në këtë mënyrë, organizata siguronte vazhdimësinë e funksionimit dhe koordinimin e veprimtarisë së saj kriminale, edhe kur anëtarët kryesorë ndodheshin në burg.
Sa u përket bashkëpunëtorëve të drejtuesit, të cilët gjithashtu ndodheshin në burg, ata vepronin si hallka ndërmjetëse komunikimi mes drejtuesit dhe anëtarëve që ishin jashtë institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Ata merrnin përsipër përcjelljen e urdhrave, koordinimin e veprimeve të veçanta dhe ruajtjen e funksionimit të organizuar të grupit.
Departamenti për Luftën kundër Gjobëvënies, me ndihmën e Grupeve të Parandalimit dhe Ndërmjetësimit, si dhe të grupeve operacionale të Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar (DAOE), zhvilloi kontrolle në katër lokale në qendër të Athinës.
Gjatë operacionit u kontrolluan 50 persona, nga të cilët 27 u shoqëruan në polici.




