Një aksident masiv me 37 automjete ka ndodhur në autostradën A1 në Zvicër, duke lënë 10 persona të lënduar.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:45, në drejtim të St. Gallenit, ndërmjet Baltenswil dhe Winterthur-Töss, raporton mediumi zviceran Blick.
Zëdhënësi i Policisë së Kantonit të Cyrihut, Alexander Renner, ka konfirmuar se bëhet fjalë për disa aksidente që kanë ndodhur njëkohësisht, ku janë përfshirë 23 vetura, 6 furgonë dhe 8 kamionë, përcjell Telegrafi.
Nga 10 personat e lënduar, 6 kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa 4 lëndime të shkallës së mesme.
Shkaqet e aksidentit ende nuk dihen dhe janë objekt i hetimeve, megjithatë dyshohet se kushtet dimërore mund të kenë luajtur rol.
“Shumë automjete kanë ngecur në njëra-tjetrën”, ka deklaruar Renner.
Sipas dëshmitarëve të cituar nga BRK News, rruga në momentin e aksidentit ishte jashtëzakonisht e rrëshqitshme, por Policia ende nuk e ka konfirmuar këtë informacion, transmeton Telegrafi.
Si pasojë e aksidentit është krijuar një kolonë automjetesh prej 9 kilometrash, ndërsa edhe rrugët alternative janë mbingarkuar.
Sipas Touring Club Switzerland (TCS), segmenti i prekur i autostradës pritet të mbetet i mbyllur deri në orën 13:00.
Ekipet e emergjencës po punojnë për largimin e automjeteve të aksidentuara dhe normalizimin e qarkullimit./Telegrafi/





