Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka vendosur t’i shqiptojë masën e vërejtjes me shkrim rektorit Arben Hajrullahu, pas shqetësimeve të ngritura nga studentët lidhur me komunikimin dhe veprimet e tij ndaj tyre.

Vendimi është marrë më 26 nëntor, pas një takimi që ka zgjatur më shumë se dy orë, gjatë të cilit rektori ka dhënë sqarime para organit drejtues të Universitetit.
Kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së, Altin Sahiti, ka bërë të ditur se pas diskutimeve është konstatuar se shqetësimet e ngritura publikisht ditë më parë qëndrojnë, duke rezultuar në shqiptimin e kësaj mase.
“Askush nuk është mbi institucionin dhe asnjë funksion nuk e përjashton përgjegjësinë”, ka deklaruar Sahiti.
Megjithatë, vendimi ende nuk është protokolluar.
Në anën tjetër, rektori Hajrullahu ka konfirmuar se është njoftuar verbalisht për masën e shqiptuar, ndërsa ka shprehur interesimin për të kuptuar arsyetimin e vendimit, të cilin ende nuk e ka pranuar fizikisht.
Nga paralajmërimet për përjashtim deri te vërejtja me shkrim
Përplasjet ndërmjet studentëve dhe rektorit nisën pas bojkotimit të mësimit nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kundërshtuan evidentimin e vijueshmërisë përmes sistemit QR.
Situata u tensionua më 16 nëntor, kur Hajrullahu, përmes një emaili, paralajmëroi studentët për pasoja në rast të vazhdimit të bojkotit, përfshirë përsëritjen e vitit akademik dhe humbjen e statusit të studentit.
Paralajmërime pati edhe për stafin akademik, përfshirë ndalesat në pagë deri në shkëputjen e kontratës së punës.
Më 19 nëntor, studentët protestuan para Rektoratit, duke kërkuar që Hajrullahu t’u kërkonte falje ose të jepte dorëheqje.
Pas protestës, Parlamenti Studentor kërkoi nga Këshilli Drejtues shqyrtimin e veprimeve të rektorit në raport me studentët që nga marrja e mandatit në vitin 2024.
Këshilli Drejtues ishte distancuar më herët nga gjuha e përdorur nga Hajrullahu në komunikimin me studentët.
Ndërkohë, më 23 nëntor, studentët e Fakultetit të Mjekësisë iu rikthyen procesit mësimor, pasi u lejua evidentimi i vijueshmërisë edhe përmes listave fizike dhe kartelave studentore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





