“Arlinda Zekaj me telefonin e saj ka arritur ta faktojë vrasjen e saj”, ka deklaruar, Besnik Berisha, avokati i familjes së Zekajt, Ai ka zbuluar detaje të rënda lidhur me rrethanat e vrasjes së saj dhe provat e siguruara deri më tani nga hetimet.

Ai ka bërë të ditur se, me të marrë informatat e para, kishte paraqitur kërkesë urgjente te kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, në atë kohë e pasuspenduar, Lumturije Vuçetaj, për t’i siguruar telefonat e të ndjerës. Sipas tij, kjo është realizuar dhe telefonat janë të sigurt, ndërsa pikërisht nga telefoni i viktimës është konfirmuar se Arlinda Zekaj është ekzekutuar 20 sekonda pasi ishte ndarë nga policia.
Duke përshkruar momentin kritik, avokati tha se sapo Arlinda ishte futur në derën e shtëpisë, ajo u ekzekutua me sopatë në mënyrë makabre në sytë e djalit të saj, dy fëmijëve të të dyshuarit të vrasje të rëndë Albert Sylaj, si dhe në prani të nënës së tij, Nurijes, e cila ishte dëshmitare dhe ndihmëse në krim.
Sipas Berishës, vrasja ishte e porositur drejtpërdrejt nga ish-bashkëshorti i Arlindes, Jeton Sylaj. Derisa Arlinda po hynte në shtëpi, ai dyshohet se i kishte dhënë urdhrin për ekzekutim vëllait të tij, Albertit, veprim që sipas avokatit faktohet nga dëshmitarët okularë, kamerat e sigurisë në stacionin policor ku ndodhej Jetoni, si dhe nga zëri i regjistruar. Pasi e kishte ndjekur drejtpërdrejt në telefon kryerjen e porosisë, ai e kishte njoftuar policinë në stacion me fjalët: “Shkoni, se u bë m*t”.
“Sapo është futur në derën e shtëpisë, në mënyrën më tinëzare, më të prishur, më makabre është ekzekutuar me sopatë në sytë e nënës së të dyshuarit, si dëshmitare dhe si ndihmëse; në sytë e dy fëmijëve të Albertit, dhe fatkeqësisht, e që nuk falet përjetësisht , në sytë e djalit të Arlindës. Ka qenë vrasje e porositur. Vrasja është porositur nga ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj. ‘Live’, përderisa Arlinda ishte duke hyrë në shtëpi, ai kishte dhënë urdhrin vëllait të tij, Albertit, për ekzekutimin e saj dhe këtë e dëshmojnë njerëzit e gjallë. E dëshmojnë kamerat e sigurisë në stacionin e policisë ku ai ishte, e dëshmon zëri i regjistruar. Në stacionin e policisë: Jetoni e njofton policinë me një shprehje: ‘Shkoni, se u bë m*t’. Pra, ‘live’ në telefon e ka këqyrur porosinë që e ka dhënë a u ekzekutua, pastaj i ka thënë policisë ‘shkoni’”, ka deklaruar Berisha.
Lidhur me faktin se Jeton Sylaj kishte qasje në telefon derisa ndodhej në stacionin policor, Berisha sqaroi se policia nuk ka të drejtë t’ia marrë askujt telefonin deri në momentin kur vendoset masa e ndalimit, duke vlerësuar se në këtë aspekt nuk ka pasur shkelje.
Sa i përket dëshmive të regjistruara, avokati bëri të ditur se njëra nga kamerat e shtëpisë e ka kapur me zë dhe figurë momentin e vrasjes, ndërsa të pranishmit e tjerë në shtëpi e kanë parë se çfarë po ndodhte me viktimën. “Arlinda Zekaj me telefonin e saj ka arritur ta faktojë vrasjen e saj, gjë që hetuesve ua ka lehtësuar në maksimum rezultatin“, u shpreh Berisha.
Ai foli edhe për rolin e ish-vjehrrës së Arlindës, duke theksuar se prapa pamjes së një gruaje të moshuar që doli me pranga nga gjykata, fshihet një sjellje krejtësisht e ftohtë. Sipas avokatit, ajo nuk tentoi t’i afrohej apo t’i jepte ndihmë nënës së nipit të saj, por e la të strukur prapa derës ku u vra, duke gënjyer më pas se i kishte rënë të fikët dhe nuk e kishte parë ngjarjen.
Berisha theksoi se ajo nuk është arrestuar vetëm për veprimet në ditën kritike, por për një fushatë të tërë dhune e përndjekjeje që i kishte paraprirë vrasjes. Sipas tij, Jeton Sylaj e kishte kontrolluar dhe dhunuar Arlindën nga Amerika përmes njerëzve të tij në Pejë, ku kunati tjetër, Dritoni, e vëzhgonte dhe i dërgonte fotografi e video nënës së tij, e cila më pas ia përcillte Jetonit lëvizjet e saj.
Sipas Berishës, prania e nënës në shtëpi kishte për qëllim vazhdimin e dhunës psikologjike e fizike deri në likuidimin e Arlinda Zekajt.
“Dikujt mund t’iu ketë dhimbsur ish-vjehrra e Arlindës, një grua e moshuar duke dalë nga stacioni policor e nga oborri i gjykatës me duar të lidhura, por le ta dinë se ajo grua, që me ftohtësinë më të madhe tha ‘unë nuk e kam vrarë’, as nuk e mori mundin t’i afrohej nënës së nipit të saj, por e la të strukur prapa derës, aty ku u ekzekutua. Edhe kur ndodhi tragjedia, ajo nuk tentoi të ofronte qoftë edhe ndihmën më të vogël. Ka thënë se nuk e ka parë ngjarjen se i ka rënë të fikët, por realiteti është krejt ndryshe. Ajo nuk është arrestuar vetëm për veprimet e saj në momentin tragjik; është arrestuar edhe për veprimet e tjera që i kanë paraprirë atij momenti që nga fillimi, pasi Jeton Sylaj një kohë e ka sunduar, e ka torturuar e dhunuar Arlindën përmes të tjerëve nga Amerika, duke i përdorur njerëzit e tij në qytetin e Pejës. Ka pasur vëzhgim, përndjekje, fotografi, video, ku djali, domethënë Dritoni, ia dërgon nënës, e nëna ia përcjell djalit tjetër se ku është, çfarë po bën e ku po shkon“, tha Berisha.
Burimi: Insajderi





