Këngëtari i njohur me emrin artistik Bejta është bërë pjesë e këtij edicioni të Big Brother VIP Kosova, duke iu bashkuar garës për çmimin e madh prej 200 mijë eurosh.

Para hyrjes në këtë spektakël, këngëtari ka bërë të ditur edhe emrin e tij të vërtetë, pasi deri më tani për publikun është njohur kryesisht me emrin artistik Bejta.
Siç ka zbuluar vetë përmes një postimi në Instagram, emri i tij i vërtetë është Daors. Krahas këtij njoftimi, ai ka bërë të ditur se ka publikuar edhe një EP, të cilin e ka titulluar pikërisht me emrin e tij të vërtetë, “DAORS”.
EP-ja përmban gjithsej katër këngë, tri prej të cilave tashmë janë publikuar, ndërsa kënga e fundit pritet të publikohet në një moment të përshtatshëm.
“Pa ju, unë, Bejta, nuk do të isha ky që jam sot. Më pranuat ndryshe, më pranuat ashtu siç jam, origjinal dhe pa filtra. E për këtë, ju jam mirënjohës gjithmonë. Pikërisht për këtë arsye, prej sonte do të më njihni edhe me emrin tim të vërtetë: DAORS”.
“DAORS quhet edhe dhurata ime për ju, para se të hyj në shtëpinë më të madhe në Shqiptari. Një EP me 4 këngë, ku secila ka një pjesë nga shpirti im”.
“Bejta është ai që njihni. DAORS është ai që do ta zbuloni”, ka potencuar ai mes tjerash.
Bejta, i cili fitoi popullaritet të gjerë me këngën e tij “Lule”, është gjithashtu i njohur për stilin karakteristik, që e dallon sa herë shfaqet në publik.
Një prej detajeve që bie më së shumti në sy është mbajtja e syzeve, të cilat duket se janë kthyer në një pjesë të pandashme të paraqitjes së tij, edhe në BBVK.




