Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj A.J., të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit, e cila u vra me armë zjarri në Prishtinë 15 vjet më parë.
Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë për Radion Evropa e Lirë, duke bërë të ditur se aktakuza është ngritur në mungesë, më 22 tetor 2026.

Përveç veprës penale të vrasjes, A.J. akuzohet edhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Megjithatë, ende nuk dihet se çfarë zhvillimesh kanë ndodhur në këtë rast pas 15 vjetësh dhe çfarë ka mundësuar ngritjen e aktakuzës pikërisht tani.
Sipas raportimeve të mëhershme, i dyshuari ndodhej në Spanjë, ndërsa autoritetet kosovare kishin hasur në pengesa për ekstradimin e tij.
Prokuroria ende nuk ka dhënë detaje lidhur me arsyet e vonesës së ngritjes së aktakuzës, zhvillimet në hetime dhe vendndodhjen aktuale të të akuzuarit, por deri në publikimin e lajmit nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka konfirmuar nëse e ka pranuar aktakuzën dhe në cilën fazë ndodhet procedura gjyqësore.
Rasti i Diana Kastratit mbetet një nga rastet që kanë nxjerrë në pah dështimet institucionale në mbrojtjen e grave nga dhuna në Kosovë.
Diana ishte vrarë vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga gjykata, e cila nuk kishte vepruar lidhur me kërkesën e saj. Më vonë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se mosveprimi i gjykatës kishte shkelur të drejtën e saj për jetë.
Së fundmi, babai i Diana Kastratit ishte i ftuar në emisionin “Debat Plus”, ku foli për vrasjen e vajzës së tij dhe neglizhencën e institucioneve në trajtimin e rastit në atë kohë.
Burimi: Dukagjini




