Për të 27-ën herë, Gjykata Speciale me seli në Hagë, mori vendimin e njëjtë.
Në po kaq herë, nxori vendim për vazhdimin e paraburgimit për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Në këtë formë u refuzua edhe kërkesat e fundit e Thaçit për lirim, ani pse gjykata e pranoi se nuk ka informacion të mjaftueshëm se ekziston mundësia se do t’i shmangej drejtësisë.
“Paneli përfundon se, në këtë kohë, vazhdon të ketë informacion të pamjaftueshëm para tij që justifikon një konstatim se z. Thaçi mund t’i shmanget drejtësisë nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë prova në këtë çështje”, thuhet nga Dhomat e Specializuara.
Kësisoj, ish-presidenti i Kosovës, do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim deri në shpalljen e aktgjykimit.
Por, arsyetimet e Speciales, po vazhdojnë të mos i bindin njohësit e ligjit në Kosovë.
“Pas ngritjes së aktakuzës dhe dëgjimit të dëshmitarëve që ka ndodh në dy rastet e zotit Thaçi nuk ekziston rreziku i pengimit të drejtësisë qoftë përmes ndryshimit ose shkatërrimit të provave, qoftë në ndikimin e dëshmitarëve sepse të gjithë dëshmitarët janë dëgju. E kam fjal për rastin e parë. Gjithashtu për rastin e dy janë dëgju dëshmitart. Dhe ajo çka është më e rëndësishmja është dëgju ekspertja ndërkombëtare që e ka bë ekzaminimin e përgjimit të telefonave”, vlerëson avokati Skender Musa.
Sipas tij, vendimet e gjykatës duhet të merren në bazë të provave, e jo paragjykimeve.
“Nuk mund të vazhdohet masa e paraburgimit në bazë të paragjykimeve dhe në bazë të ndikimeve politike qoftë të brendshme apo të jashtme që mund të kenë, qoftë Prokuroria Speciale, qoftë Gjykata. Dhe me këtë ata janë duke i shkel të drejtat themelore të njeriut, në mënyrë të vacantë të drejtat e të akuzuarve me procedurë penale për t’u mbrojtur nga liria”, thotë Musa.
Ndryshe, aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është caktuar të shpallet muajin e ardhshëm me 16 shtator.
Për këtë rast, katër të akuzuarit për krime lufte, janë deklaruar të pafajshëm.

