By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Spanja mund ta pengojë integrimin e Malit të Zi në BE
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Spanja mund ta pengojë integrimin e Malit të Zi në BE
Lajme

Spanja mund ta pengojë integrimin e Malit të Zi në BE

Momenti
Published: September 22, 2026

Spanja mund të bëhet një pengesë e papritur në rrugën e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), për shkak të agjendës së brendshme politike të Madridit.

Qeveria spanjolle tani po e lidh drejtpërdrejt çështjen e njohjes së katalanishtes, baskishtes dhe galicishtes si gjuhë zyrtare të BE-së me zgjerimin e ardhshëm të bllokut evropian.

Madridi këmbëngul që statusi i këtyre tri gjuhëve të zgjidhet para se, me anëtarësimin e shteteve të reja, BE-së t’i shtohen gjuhë të tjera zyrtare. Në mesin e vendeve kandidate, Mali i Zi është aktualisht më afër anëtarësimit.

Edhe pse Madridi zyrtarisht nuk ka thënë se do ta bllokojë zgjerimin, deklaratat e zyrtarëve spanjollë lënë të hapur pyetjen nëse çështja e gjuhëve mund të bëhet kusht për përparimin e procesit të zgjerimit.

“Është koha që, 40 vjet pasi Spanja iu bashkua Bashkimit Evropian, t’i jepet fund diskriminimit ndaj të cilit janë të ekspozuar 20 milionë spanjollë, ose 20 milionë evropianë që jetojnë në territore me më shumë se një gjuhë zyrtare, në krahasim me evropianët e tjerë që gjithashtu kanë më shumë se një gjuhë zyrtare”, tha në Bruksel sekretari shtetëror spanjoll për Çështjet Evropiane, Fernando Sampedro Marcos.

Ministri i Jashtëm spanjoll, Hoze Manuel Albares, në vitin 2023 i kishte dorëzuar zyrtarisht Këshillit të BE-së propozimin që katalanishtja, baskishtja dhe galicishtja të njihen si gjuhë zyrtare të Bashkimit Evropian.

Tani Madridi këmbëngul që çështja e këtyre tri gjuhëve të zgjidhet para valës së ardhshme të zgjerimit, pra para se numri i gjuhëve zyrtare të BE-së të rritet me pranimin e anëtarëve të rinj.

Spanja njëkohësisht thekson se e mbështet zgjerimin dhe përparimin e vendeve kandidate, por kërkon që kërkesa e saj të zgjidhet para se anëtarët e rinj të shtojnë gjuhë të tjera në sistemin institucional të Unionit.

“Gjatë tri vjetëve të fundit jemi marrë me të gjitha çështjet, me të gjitha paqartësitë që janë shfaqur në lidhje me këtë. E kemi shpjeguar propozimin dhe mendoj se është krejtësisht e qartë se nuk ekziston absolutisht asnjë arsye që miratimi i këtij vendimi të vazhdojë të shtyhet”, tha Sampedro.

“Thjesht, jemi të bindur se katalanishtja, galicishtja dhe baskishtja do të jenë gjuhë zyrtare të Bashkimit Evropian dhe shpresojmë që kjo të ndodhë së shpejti”, shtoi ai.

Kërkesa spanjolle ishte një nga temat e takimit të sotëm të ministrave të BE-së përgjegjës për çështjet evropiane.

Sipas burimeve diplomatike nga takimi i ministrave, ministri spanjoll e paraqiti qëndrimin e tij, megjithëse gjatë fjalimit, siç thanë burimet e REL-it, “nuk vendosi një lidhje eksplicite” mes pranimit të anëtarëve të rinj dhe vendimit për gjuhët.

Spanja kërkoi që kjo çështje të futet në rendin e ditës për herë të parë pas më shumë se një viti. Megjithatë, diskutimi i sotëm nuk ishte paraparë si votim dhe nuk pritej ndonjë vendim përfundimtar për kërkesën.

Këtë e konfirmoi edhe nikoqiri i takimit, ministri irlandez përgjegjës për çështjet evropiane, Tomas Birn, vendi i të cilit kryeson Këshillin e BE-së.

“Do të kemi një diskutim të shkurtër, të cilin sot do ta nisë ministrja Sampedro lidhur me çështjen e gjuhëve. Nuk pres që sot të arrijmë ndonjë rezultat lidhur me këtë çështje. Do ta dëgjojmë se çfarë do të thotë kolegu ynë spanjoll dhe do ta shqyrtojmë atë. Këshilli më herët ka dhënë një opinion ligjor lidhur me këtë çështje. Supozoj se, si përfaqësues i vendit që kryeson, do të duhet ta pranoj atë”, tha Birn.

Opinioni ligjor i Shërbimit Juridik të Këshillit të BE-së për propozimin spanjoll të vitit 2023 u kërkua pas diskutimit në takimin e Këshillit të BE-së për Çështjet e Përgjithshme, i cili u mbajt menjëherë pas dorëzimit të propozimit.

Këshilli, megjithatë, atëherë nuk e publikoi opinionin e detajuar ligjor me shkrim.

Në takimin joformal të ministrave në fillim të shtatorit, Spanja e riktheu dhe e intensifikoi çështjen e gjuhëve.

Sekretari shtetëror për Çështjet Evropiane, Fernando Sampedro, në një parashtresë drejtuar vendit që kryeson BE-në, e lidhi shprehimisht çështjen e gjuhëve me zgjerimin e ardhshëm. Ai tha se BE-ja së shpejti do të ketë më shumë gjuhë zyrtare dhe se Spanja shpreson që çështja e katalanishtes, galicishtes dhe baskishtes të zgjidhet para kësaj.

Ky është një ndryshim i rëndësishëm pas disa muajsh ngecjeje në shqyrtimin e propozimit spanjoll.

Herën e fundit që kjo çështje u diskutua në nivel ministrash ishte në korrik të vitit 2025. Atëherë kërkesa hasi në rezerva nga disa shtete anëtare, ndër të cilat ishte edhe Gjermania.

Sipas burimeve të REL-it, Gjermania ishte shprehimisht kundër lidhjes së dy proceseve gjatë diskutimit mes ministrave. Ky qëndrim i Gjermanisë, sipas burimeve tona, u mbështet edhe nga të paktën dy shtete të tjera anëtare të BE-së.

Sekretari shtetëror gjerman për Çështjet Evropiane, Gunther Krichbaum, tha para takimit se kundërshton, siç u shpreh ai, “bilateralizimin e procesit të integrimit në BE”.

“Duhet të jemi të fortë së bashku. Dhe këtë unitet duhet ta vëmë në peshore. Para së gjithash, kjo na jep peshën që na nevojitet. Dhe çdo gjë që rrezikon mundësinë për të arritur marrëveshje me shtetet e tjera që dëshirojnë t’i bashkohen Bashkimit Evropian nuk është e dobishme”, tha Krichbaum për gazetarët.

Ai u bëri thirrje kolegëve nga Madridi të tregojnë “pak më shumë frymë evropiane”.

Gjermania është ndër shtetet anëtare që në fillim të shtatorit u dërguan institucioneve evropiane një propozim për kufizimin e përdorimit të vetos në disa fusha të vendimmarrjes së BE-së.

Në propozim, ndër të tjera, thuhet se ekziston nevoja për të parandaluar përdorimin e vetos për realizimin e interesave të brendshme politike të shteteve anëtare.

Nëse Spanja mbetet në qëndrimin se statusi i katalanishtes, baskishtes dhe galicishtes duhet të zgjidhet para zgjerimit të ardhshëm, kjo çështje mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për dinamikën e anëtarësimit të Malit të Zi.

Madridi, megjithatë, nuk ka deklaruar zyrtarisht se do ta bllokojë anëtarësimin e shteteve të reja nëse kërkesa e tij nuk pranohet.

Sampedro, duke iu përgjigjur pyetjes nëse kjo do të thotë se Spanja mund ta kushtëzojë pranimin e anëtarëve të rinj, përfshirë Malin e Zi, me zgjidhjen e çështjes së gjuhëve, e la këtë mundësi të hapur. Ai tha se është i bindur se çështja do të zgjidhet “shumë përpara” afatit të parë të zgjerimit të ardhshëm.

Megjithatë, ai konfirmoi se Spanja e mbështet pranimin e Malit të Zi në BE.

Mali i Zi është aktualisht shteti kandidat më i avancuar në procesin e anëtarësimit në BE.

Deri më tani, ai ka mbyllur përkohësisht 18 nga 33 kapitujt e negociatave. Podgorica synon t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2026 dhe të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028.

Në Bruksel tashmë ka nisur edhe hartimi i projekt-marrëveshjes së anëtarësimit mes BE-së dhe Malit të Zi. Kjo përbën një hap të rëndësishëm në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim.

Kryesimi irlandez i Këshillit të BE-së ka bërë të ditur se përfundimi i negociatave me Malin e Zi do të jetë një nga prioritetet në fushën e zgjerimit./REL/

The post Spanja mund ta pengojë integrimin e Malit të Zi në BE appeared first on Gazeta Express.

You Might Also Like

UBS: Cyrihu ka rrezikun më të lartë të flluskës së pasurive të paluajtshme në botë
Tërheqja e kërkesës nga Kushtetuesja, a mund të vazhdojë shqyrtimi i lëndës së PDK’së? Flasin ekspertët
Arrestohet bariu që i kërcënoi turistët me prerje fyti, policia: U lirua pas intervistimit, rasti cilësohet ‘kanosje’
Edi Rama e shkarkon menjëherë Vlora Hysenin nga pozita e drejtueses së inteligjencës shqiptare
Inspektime kundër piraterisë – MINT njofton për kontrolle në Prishtinë e Gjilan, detaje

LEXO GJITHASHTU

​Kërkesat e PDK-së në Kushtetuese, tërheqja nuk e ndal domosdoshmërisht shqyrtimin
​Kërkesat e PDK-së në Kushtetuese, tërheqja nuk e ndal domosdoshmërisht shqyrtimin
TOP Momenti
Aksident mes një kamioni dhe një makine në Ohër, lëndohet rëndë një person
Aksident mes një kamioni dhe një makine në Ohër, lëndohet rëndë një person
TOP Momenti
“Janë të paktën 11 varreza masive”: Kosova synon gërmime të reja në Serbi
“Janë të paktën 11 varreza masive”: Kosova synon gërmime të reja në Serbi
Lajme
BE shpenzon tre herë më shumë për importet nga Kina sesa eksporton drejt saj
BE shpenzon tre herë më shumë për importet nga Kina sesa eksporton drejt saj
Lajme
Mediat bojkotojnë Trumpin, hakmarrje për dëbimin e gazetarëve
Mediat bojkotojnë Trumpin, hakmarrje për dëbimin e gazetarëve
Lajme

You Might Also Like

Mbyllet Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strugë, shërbimet konsullore përqendrohen në Shkup
Lajme

Mbyllet Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strugë, shërbimet konsullore përqendrohen në Shkup

September 22, 2026
Aksident në rrugën Lipjan-Shtime, dalin pamjet
Lajme

Aksident në rrugën Lipjan-Shtime, dalin pamjet

September 22, 2026
Mediat bojkotojnë Trump, hakmarrje për dëbimin e gazetarëve
Lajme

Mediat bojkotojnë Trump, hakmarrje për dëbimin e gazetarëve

September 22, 2026
Trump mohon mungesën e municioneve: Kemi më shumë sesa mund të përdorim
Lajme

Trump mohon mungesën e municioneve: Kemi më shumë sesa mund të përdorim

September 22, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?