Një vit e gjysmë pasi u ekstradua nga Bosnje e Hercegovina, shtetasi rus Aleksandar Bezrukavji ka nisur të flasë para gjykatës në Varshavë për rolin e tij në rastin e dërgesave me pajisje ndezëse, të cilin prokuroria polake e lidh me veprimtarinë në interes të shërbimit inteligjent rus.
Ndër incidentet e përfshira në hetimin e gjerë është edhe zjarri që shpërtheu në korrikun e 2024-tës në qendrën e ngarkesave të kompanisë logjistike DHL, në Aeroportin e Lajpcigut/Halles në Gjermani, kur një dërgesë me një pajisje të fshehur ndezëse u përfshi nga zjarri, pak para se të ngarkohej në një avion për në Britaninë e Madhe.
Sipas aktakuzës, Bezrukavji ishte pjesë e një rrjeti personash, dhe akuzohet për përgatitjen e dërgesave testuese drejt Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.
Rasti tërhoqi sërish vëmendjen, pasi autoritetet gjermane, në fillim të gushtit të 2026-s, nisën hetim për një incident të ri sigurie në të njëjtin aeroport, ku pranë pistës u gjet një dron me një pajisje shpërthyese.
Ndërsa për incidentin e ri në Lajpcig ende nuk dihen detajet, para gjykatave në Poloni, por edhe në Lituani, po zhvillohen procedura të ndara kundër personave që hetuesit i lidhin me operacione sabotazhi të kryera gjatë verës së vitit 2024.
Pesë të akuzuar para gjykatës në Varshavë
Prokuroria polake, në fillim të janarit të 2026-s, ngriti aktakuzë ndaj pesë personave: shtetasit rus Aleksandar Bezrukavji, dhe shtetasve ukrainas Vjacheslav Çabanenko, Vladislav B., Vladislav D. dhe Serhij Y., për rolin e tyre të dyshuar në një operacion që lidhet me dërgimin e pakove me pajisje ndezëse.
Sipas aktakuzës, të cilën Radio Evropa e Lirë (REL) e ka marrë në formë të anonimizuar nga Gjykata e Varshavës, Bezrukavji ishte pjesë e grupit dhe kishte për detyrë të veçantë përgatitjen e dërgesave testuese drejt SHBA-së dhe Kanadasë.
Këto dërgesa duhej të shërbenin për të testuar rrugët, kohën e transportit dhe funksionimin e zinxhirit logjistik.
Deri më tani janë mbajtur pesë seanca në këtë çështje, ndërsa Bezrukavji që nga ekstradimi i tij ndodhet në paraburgim, i cili i është zgjatur deri më 11 nëntor 2026.
Sipas prokurorisë, detyrat ishin ndarë në mënyrë të tillë që disa anëtarë të grupit nuk ishin në dijeni të plotë për të gjithë operacionin.
Prokurorët pretendojnë se njëri nga të akuzuarit, në korrikun e 2024-tës, organizoi nga Lituania dërgimin e katër pakove, dy prej të cilave ishin destinuar për në Britaninë e Madhe dhe dy për në Poloni.
Dërgesat përmbanin jastëkë masazhi, produkte kozmetike dhe lodra seksuale, në të cilat ishin fshehur mekanizma ndezës dhe substanca të ndezshme kimike.
Njëra nga dërgesat mori flakë më 20 korrik 2024 në qendrën e ngarkesave të DHL-së në Aeroportin e Lajpcigut/Halles në Gjermani, pak para se të ngarkohej në një avion për në Britaninë e Madhe.
E dyta mori flakë dy ditë më vonë në një magazinë të DHL-së në Birmingam, ndërsa e treta shkaktoi zjarr në rimorkion e një kamioni në Poloni.
Të akuzuarit përballen me dënime me nga disa vite burgim, deri në burgim të përjetshëm, në varësi të rolit që u atribuohet në operacionin e dyshuar.
Hetim i përbashkët i disa vendeve evropiane
Sipas të dhënave të Eurojust-it, hetimi që përfshiu Gjermaninë, Lituaninë, Poloninë, Holandën dhe Britaninë e Madhe ka identifikuar gjithsej 22 persona të dyshuar në Lituani dhe Poloni, të cilët gjoja kanë vepruar në interes të inteligjencës ushtarake ruse.
Hetimi i përbashkët evropian tregoi se të dyshuarit rekrutoheshin përmes platformave online, se detyrat ndaheshin mes disa personave, dhe se pagesat për detyrat e kryera shpesh bëheshin me kriptovaluta.
Hetuesit evropianë thonë se në mesin e të dyshuarve kishte shtetas të Rusisë, Ukrainës, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, ndërsa shumë prej tyre ndodheshin në kushte të vështira sociale ose ekonomike.
Si përfundoi Bezrukavji në Bosnje e Hercegovinë?
Në nëntorin e 2024-tës, në qytetin Bosanska Krupa, në veriperëndim të Bosnje e Hercegovinës, u arrestua një shtetas rus me dokumente të falsifikuara të Spanjës.
Këto ishin lajmet e para në media për Aleksandar Bezrukavjin.
Informacionet e para të bëra publike nga policia lokale sugjeronin se ai mund të ishte i lidhur me grupe ruse që trajnonin shtetas moldavianë për shkaktimin e trazirave në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, pasi edhe për këto aktivitete ishte mësuar pak më herët. Por, kjo më vonë doli të ishte e pasaktë.
Bezrukavji hyri për herë të parë në Bosnje e Hercegovinë në shkurtin e 2024-tës, siç u tha më vonë, me shumë gjasë nga Turqia. Më pas kaloi ilegalisht në Kroaci, dhe gjatë disa muajve vizitoi disa vende të Bashkimit Evropian, me gjasë me dokumente të reja, me të cilat më vonë u gjet edhe në Bosanska Krupa.
Shërbimi i Inteligjencës së Bosnje e Hercegovinës e lokalizoi më 15 nëntor në Bosanska Krupa, një ditë pasi kishte hyrë ilegalisht nga Kroacia. Ai u arrestua, në bashkëpunim me policinë lokale në orët e mbrëmjes, në një akomodim privat që kishte marrë me qira.
Atij iu gjet edhe një pasaportë e pavlefshme dhe e skaduar ruse.
Deri në ekstradimin në Poloni, e cila kishte lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar për të përmes INTERPOL-it, ai qëndroi në Burgun Shtetëror në Sarajevën Lindore.
Gjatë disa seancave të mbajtura në Gjykatën e Bosnje e Hercegovinës, në fund të vitit 2024 dhe në fillim të vitit 2025, ai mohoi të kishte çfarëdo lidhjeje me atë për të cilën dyshohej nga Polonia.
Derisa pritej vendimi i Gjykatës dhe i Ministrisë së Drejtësisë së Bosnje e Hercegovinës për dërgimin e rusit në Poloni, edhe Rusia kërkoi që ai të ekstradohej në atë vend, duke e akuzuar për vepra të dyshuara penale që lidhen me posedim të paligjshëm të armëve, narkotikëve dhe dyshimin se kishte kryer vjedhje.
Në seancë, ai deklaroi se dëshironte të ekstradohej në Rusi, përmes procedurës së përshpejtuar, por kjo nuk ndodhi.
Gjatë procedurës së ekstradimit në Bosnje e Hercegovinë, në rast u përfshi edhe Ambasada e Rusisë në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa avokati i tij pretendonte se, nëse ekstradohej në Poloni, ai nuk do të kishte gjykim të drejtë në atë vend.
Polonia dërgoi avionin për ta marrë, dhe më 13 shkurt 2025 ai u dëbua nga Bosnje e Hercegovina në Poloni.
Detajet nga gjyqet në Poloni dhe Lituani
Edhe pse aktakuza polake u ngrit në fillim të janarit, vetëm gjatë këtyre javëve Bezrukavji ka nisur të paraqesë mbrojtjen e tij para gjykatës në Varshavë. Ai mohon se e dinte se për çfarë do të shërbenin dërgesat e përmendura në aktakuzë.
Gjatë marrjes në pyetje, ai foli edhe për komunikimin me personin pas llogarisë “VWarrior” në Telegram, e cila në aktakuzë përmendet disa herë si kanal përmes të cilit disa nga të akuzuarit merrnin udhëzime për kryerjen e detyrave që lidhen me dërgesat.
Prokuroria polake pretendon se rrjeti vepronte sipas roleve të përcaktuara paraprakisht.
Ndërsa disa ishin përgjegjës për transportimin dhe ruajtjen e materialeve, të tjerë merrnin, paketonin dhe dërgonin pakot ose siguronin mbështetje logjistike.
Sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit udhëtoi në mesin e korrikut 2024 nga Varshava në qytetin lituanez Kaunas, ku nga një automjet mori çanta me jastëkë masazhi, produkte kozmetike dhe sende të tjera.
Prokurorët pretendojnë se në jastëkët e masazhit ishin fshehur pajisje për shkaktimin e zjarrit, ndërsa paketimet e kozmetikës përmbanin një përzierje nitrometani, nitroceluloze dhe oksid titani.
Më pas, dërgesat u transportuan në Vilnius, ku u aktivizuan, u ripaketuan dhe u dërguan drejt Polonisë dhe Britanisë së Madhe. Sipas aktakuzës, dy dërgesa ishin destinuar për Varshavë, një për Londër dhe një për Birmingam.
Pasojat ndodhën disa ditë më vonë. Njëra dërgesë mori flakë më 20 korrik 2024 në qendrën e ngarkesave të DHL-së në Aeroportin e Lajpcigut/Halles në Gjermani, pak para se të ngarkohej në një avion që duhej të vazhdonte fluturimin drejt Britanisë së Madhe.
E dyta mori flakë në magazinën e DHL-së në Birmingam, ndërsa e treta shkaktoi zjarr në rimorkion e një kamioni në Poloni.
Në një gjyq të veçantë që po zhvillohet në Lituani, një përfaqësues i DHL-së deklaroi në fillim të gushtit se avioni në Lajpcig i kishte shpëtuar zjarrit gjatë fluturimit vetëm për shkak se ishte vonuar.
Sipas dëshmisë së tij, pajisja ndezëse u aktivizua vetëm disa minuta pas kohës së planifikuar të nisjes. Në kontejnerin që u dogj në Lajpcig ndodheshin deri në 140 dërgesa, tha dëshmitari.
Ndryshe nga të akuzuarit e tjerë, Bezrukavji nuk akuzohet për dërgimin e pakove që u përfshinë nga zjarri në Gjermani, Britani të Madhe dhe Poloni.
Prokuroria pretendon se roli i tij ishte përgatitja e fazës së ardhshme të operacionit, e cila përfshinte dërgesa testuese drejt Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.
Sipas aktakuzës, ai bleu dy palë këpucë dhe gjashtë bluza me mëngë të shkurtra, të cilat ia dorëzoi njërit prej të akuzuarve ukrainas, me urdhër që t’i dërgonte në adresa në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.
Më 1 gusht 2024, i akuzuari tjetër, duke vepruar sipas urdhrit të Bezrukavjit, siç pretendon prokuroria, dërgoi dy pako me shërbim korrieri në SHBA dhe Kanada, me qëllim që këto dërgesa të testonin kanalin e sigurt të transferimit, përkatësisht kohën dhe rrugën e dërgimit të pakove nga shërbimi i korrierit, si dhe kohën e dorëzimit në adresat e caktuara.
Informacionet e marra më pas do të përdoreshin për dërgimin e pakove me materiale shpërthyese dhe ndezëse përmes postës ajrore, gjë që përbën akt terrorist me qëllim rrezikimin e një numri të madh personash, thuhet në aktakuzë.
Radio Evropa e Lirë u përpoq të kontaktonte avokaten mbrojtëse të të akuzuarit rus, por nuk mori përgjigje.
Sipas raportimeve nga gjyqi, njëri prej të akuzuarve, shtetasi ukrainas Vjaçeslav Çabanenko, pretendoi se nuk e dinte që sendet që merrte dhe transportonte përmbanin pajisje ndezëse.
Gjatë marrjes në pyetje, ai tha se vepronte sipas udhëzimeve të personave me të cilët komunikonte përmes Telegramit, dhe se nuk e dinte se çfarë kishte brenda pakove.
Çabanenko, gjithashtu, pretendoi se as Bezrukavji nuk e dinte se çfarë kishte brenda sendeve që u përdorën për dërgesat testuese drejt SHBA-së dhe Kanadasë, raportoi portali Novaya Gazeta.
Prokuroria polake i hedh poshtë këto pretendime, dhe thotë se të akuzuarit vepruan si pjesë e një rrjeti të organizuar paraprakisht, që kishte për qëllim kryerjen e aktiviteteve të sabotazhit kundër infrastrukturës logjistike dhe asaj të aviacionit.
Sërish Lajpcigu, dy vjet më vonë?
Ndërsa gjyqet në Lituani dhe Poloni vazhdojnë për rastet e mëparshme, aeroporti në Lajpcig është sërish në qendër të vëmendjes pas “dy incidenteve shumë serioze”, të cilat përkohësisht pezulluan dhe devijuan fluturimet.
Policia e Lajpcigut njoftoi se më 4 gusht, pranë aeroportit ishte parë një “objekt fluturues i paidentifikuar”, gjë që çoi në devijimin e disa avionëve, përfshirë një avion pasagjerësh, drejt aeroporteve të tjera.
Një dron që mbante një “objekt të dyshimtë” u zbulua gjithashtu pranë njërës prej dy pistave kryesore.
Prokuroria Publike e Dresdenit dhe Zyra Shtetërore e Policisë Kriminale të Saksonisë, të cilat po udhëheqin hetimin, thanë se droni i zbuluar në pistë mbante një “pajisje shpërthyese të panjohur”.
Edhe pse autoritetet gjermane deri tani nuk e kanë lidhur incidentin e fundit me rastin e dërgesave të vitit 2024, ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, deklaroi se Gjermania është çdo ditë objektiv i sulmeve hibride nga jashtë, që përfshijnë spiunazh, sabotazh dhe operacione të tjera të fshehta.
Pas ngjarjeve në Lajpcig, mediat gjermane raportuan se qeveria po shqyrton forcimin e mëtejshëm të sistemeve për mbrojtjen nga dronët.
Masa të ngjashme kanë ndërmarrë edhe Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia, veçanërisht sa i përket energjisë dhe infrastrukturës tjetër kritike, për shkak të frikës nga operacione të mundshme hibride dhe sabotazhe.
Shërbimet e sigurisë së këtyre vendeve paralajmërojnë për mundësinë e të ashtuquajturave sulme “false flag”, në të cilat sulmet me dronë mund të kryhen në mënyrë që përgjegjësia t’i atribuohet Ukrainës, raportoi Reuters në një analizë pas incidentit në aeroportin e Lajpcigut./REL/
The post Si përfundoi një rus i arrestuar në Bosnje në një nga hetimet europiane për sabotazhe të dyshuara ruse? appeared first on Gazeta Express.

