Në Romë, një fletë e hollë plumbi me përmasa rreth 10 me 15 centimetra u gjet brenda një ene që mbante hirin e një personi që kishte vdekur i ri dhe në mënyrë të dhunshme. Fleta, që daton në shekullin e katërt pas Krishtit, ishte palosur disa herë, shpuar me një gozhdë dhe kishte të shkruar një mesazh në greqisht:
“Ju thërras ju, engjëj të shenjtë dhe emra të shenjtë, bashkohuni me këtë magji lidhëse dhe lidheni, bllokojeni, goditeni, rrëzojeni, dëmtojeni, shkatërrojeni, vriteni dhe copëtojeni Eukeriosin, garuesin e karrocave, dhe të gjithë kuajt e tij nesër në arenën e Romës… Mos e lini të kalojë përpara apo të fitojë, por bëjeni të rrëzohet, të lidhet, të shkatërrohet dhe të zvarritet nën fuqinë tuaj. Si në garat e para, ashtu edhe në ato të fundit. Tani, tani! Shpejt, shpejt!”
Ky është një shembull i asaj që quhej “pllakëz mallkimi” greko-romake, një lutje magjike e shkruar mbi një fletë plumbi, për të cilën njerëzit e lashtë besonin se kishte fuqinë të kontrollonte ose “lidhte” armiqtë e tyre. Arkeologët kanë zbuluar më shumë se 1500 mallkime të tilla historike, të drejtuara fshehurazi kundër rivalëve në sport, politikë, procese gjyqësore dhe dashuri.
Pllakëzat e mallkimit ishin kudo në botën greko-romake
Sipas të dhënave arkeologjike, pllakëzat e mallkimit u përdorën gjerësisht për rreth 1000 vjet, nga viti 500 para Krishtit deri në vitin 500 pas Krishtit. Pllakëza të tilla janë gjetur në Athinë, Romë, Spanjë, Siri dhe deri në Angli, ku një grup prej 130 pllakëzash u zbulua në banjat romake 2000-vjeçare në qytetin e Bathit.
Të njohura në latinisht si defixiones, që do të thotë “të lidhësh” ose “të fiksohesh”,pllakëzat më të hershme të mallkimit ishin thjesht emra të gdhendur në plumb, të shoqëruar me një formulë të folur magjike, e cila më vonë shkruhej edhe në tekst. Me kalimin e kohës, pllakëzat u bënë më të ndërlikuara, sidomos kur prodhimi i tyre kaloi në duart e magjistarëve profesionistë. Në shekullin e pestë pas Krishtit, pllakëzat romake përfshinin figura fantastike, fjalë magjike pa kuptim dhe lutje drejtuar perëndive nga fe të ndryshme.
“Teksti i mallkimit thotë ‘unë e lidh filanin’ ose ‘unë e gozhdoj filanin’, dhe kjo përforcohet nga veprimi ritual i gozhdimit në një vend të caktuar,” thotë Kimberly Stratton, profesore e fesë që studion magjinë e lashtë në Universitetin Carleton. “Gozhdimi është pjesë e mallkimit që lidh personin e synuar, e mban të bllokuar ose e dëmton.”
Fe apo Magji?
Ndërsa disa studiues i shohin pllakëzat e mallkimit si pjesë të fesë greko-romake dhe madje të krishterimit të hershëm, Stratton mendon se njerëzit e lashtë e dinin dallimin mes praktikës normale fetare dhe “magjisë”, dhe se pllakëzat e mallkimit i përkisnin qartë arteve të errëta.
“Të gjithë në botën e lashtë binin dakord se pllakëzat e mallkimit ishin magji,” thotë Stratton. “Askush nuk thoshte: ‘Do të gdhend një mallkim kundër fqinjit tim dhe do ta varros në varrin e dikujt që ka vdekur dhunshëm’, duke menduar se kjo ishte fe.”
Një nga ndryshimet kryesore mes një pllakëze mallkimi dhe një lutjeje të zakonshme në një tempull greko-romak ishte se pllakëzat rrallë kërkonin bekime personale nga perënditë. Në vend të kësaj, pothuajse gjithmonë dëshironin dëm për të tjerët. Për Stratton, pllakëzat pasqyrojnë mënyrën si njerëzit e lashtë e shihnin jetën si një “lojë ku fitimi i njërit është humbja e tjetrit”.
“Nëse dikush tjetër fiton diçka të mirë, kjo do të thotë që unë humba diçka,” thotë Stratton, autorja e librit Naming the Witch: Magic, Ideology and Stereotype in the Ancient World. “Ideja pas pllakëzave të mallkimit ishte se gjendja ime do të përmirësohej nëse mund të ‘lidhja’ dikë, ta bëja të padëshirueshëm, të paaftë në të folur, t’i shkëputej rrota e karrocës e kështu me radhë. Ti do që dikush tjetër të dështojë që ti të kesh sukses.”
Mallkime kundër konkurrentëve në sport, gjykata dhe seks
Pllakëzat e mallkimit shkruheshin për të “lidhur” lloje të ndryshme rivalësh, por fushat më të zakonshme ishin sporti, betejat ligjore dhe seksi. Garat me karroca, për shembull, ishin jashtëzakonisht të famshme në botën greko-romake, po ashtu edhe bastet mbi këto gara, dhe njerëzit ishin fanatikë pas ekipeve dhe garuesve të tyre të preferuar.
“Ata ziheshin dhe shkaktonin trazira kur ekipi i tyre nuk fitonte,” thotë Stratton, gjë që nuk ndryshon shumë nga sot. Një pllakëz tipike mallkimi nga Siria e shekullit të dytë pas Krishtit thotë:”Tani sulmojini, lidhini, rrëzojini, copëtojini dhe shkatërrojini kuajt dhe garuesit e skuadrës Blu.”
Në Athinën e lashtë, paditë dhe gjyqet penale zhvilloheshin publikisht, dhe rezultati i çështjeve shpesh varej nga aftësitë në të folur dhe bindje të palëve kundërshtare. Një pllakëz athinase mallkiminga viti 300 para Krishtit synonte aftësitë oratorike të një avokati të quajtur Lampias:”Unë lidh gjuhën, shpirtin dhe fjalët që ai po përgatit, si edhe duart, këmbët, sytë dhe gojën e tij. Të gjitha këto i lidh, i fsheh, i varros dhe i gozhdoj. Nëse ata paraqesin ndonjë kundërshtim para arbitrit ose gjykatës, le të duken pa asnjë vlerë, qoftë në fjalë apo në vepra.”
Ndërsa “dashuria e vërtetë” ndonjëherë ishte qëllimi i pllakëzave të mallkimit, shumica e mallkimeve romantike synonin të largonin rivalët dhe të detyronin afeksionin fizik të personit të synuar, siç shprehet në këtë pllakëz gjysmë eksplicite nga Egjipti i shekullit të dytë:”Përdore këtë magji lidhëse, të përdorur nga Isisi, që Teodotisi, vajza e Eut, të mos kërkojë më asnjë burrë tjetër përveç meje, Amonionit, dhe të bëhet e nënshtruar, e bindur, e etur, duke fluturuar nëpër ajër në kërkim të Amonionit, birit të Hermitarisit, dhe ta afrojë kofshën e saj pranë të tijës, organet e saj pranë të tijave, në marrëdhënie të pandërprera për gjithë jetën e saj.”
A funksiononin pllakëzat e mallkimit?
Për mënyrën moderne të të menduarit, pllakëzat e mallkimit duken lehtësisht si besëtytni. Por fakti që ato u përdorën për të paktën 1000 vjet është vetë një provë se njerëzit e lashtë besonin vërtet se funksiononin, shkruan John Gager në librin e tij Curse Tablets and Binding Spells from the Ancient World.
Për greko-romakët, fuqia e një pllakëze mallkimi fillonte nga vetë formulimi i mallkimit. Një formulë e zakonshme përdorte atë që Stratton e quan “gjuhë analogjike”. Për shembull: “Ashtu si ky plumb është i ftohtë dhe i padobishëm, ashtu qofshin edhe armiqtë e mi të ftohtë dhe të padobishëm.” Ose: “Ashtu si kjo kufomë është pa zë, ashtu edhe kundërshtari im mbettë pa mundur të flasë.”
Kur kjo analogji thuhej me zë të lartë, thotë Stratton, “magjia realizohej përmes një lloj shqiptimi ritual.” Pra, ti recitoje ritualin, varrosje pllakëzën e plumbit dhe pikërisht kjo besohej se aktivizonte mallkimin.
Edhe vendi ku fshihej fizikisht pllakëza ishte shumë i rëndësishëm për suksesin e saj. Për greko-romakët, vendet më të mira për të fshehur një pllakëz mallkimi ishin hapësirat “kufitare”, si varret dhe banjat publike, që ndodheshin mes botës së të gjallëve dhe të vdekurve. Shumë pllakëza janë gjetur në varret e “të vdekurve të paqetë”, njerëz që kishin vdekur të rinj ose në mënyrë të dhunshme dhe shpirtrat e të cilëve besohej se ende endeshin në tokë.
“Këta shpirtra ndiqnin Hekatën, perëndeshën e botës së nëndheshme, e cila ishte një nga figurat më të zakonshme që përmendej në pllakëzat e mallkimit,” shpjegon Stratton. “Ndoshta të vdekurit e paqetë mund ta çonin mesazhin drejtpërdrejt te Hekata ose madje ta zbatonin vetë mallkimin.”


