Liderët e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës, Norvegjisë dhe Kanadasë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët kundër vendimit të Qeverisë së Izraelit për të publikuar tenderë ndërtimi për projektin e vendbanimit E1 në Bregun Perëndimor.
Në deklaratë thuhet se projekti është “i papranueshëm” dhe se rrezikon seriozisht perspektivën e zgjidhjes me dy shtete, duke dëmtuar vazhdimësinë territoriale të territoreve palestineze.
Shtatë vendet theksojnë se, sipas qëndrimit të tyre dhe atij të konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Izraelit që t’i tërheqë menjëherë këto plane dhe t’i japë fund zgjerimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor”, thuhet në deklaratë.
Liderët kanë paralajmëruar edhe kompanitë që të mos marrin pjesë në tenderët për ndërtimin e projektit E1, duke theksuar se mund të përballen me pasoja ligjore dhe reputacionale.
Britania, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Norvegjia dhe Kanadaja kanë ritheksuar mbështetjen për një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete.

