Drejtoresha e Medica Gjakova, Mirlinda Sada, në FIVE në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me dhunën seksuale gjatë luftës dhe lansimin e dokumentarit me rrëfimet e viktimave.
“Sot kemi lansuar dokumentarin në shesh në Prishtinë dhe vetë titulli i dokumentarit është Zërat e Reziliencës, që flet për njerëzit të cilët kanë përjetuar dhimbje të mëdha, por kanë gjetur guximin dhe forcën që të ecin përpara”, ka thënë ajo.
Ajo ka folur edhe për vështirësitë e realizimit dhe forcën e rrëfimit.
“Është e vështirë, sepse trauma është shumë e madhe dhe një ndër traumat më të mëdha që njeriu mund të përjetojë. Duhet një përgatitje e madhe, duhet të punohet trauma me seanca psiko-sociale, të cilat ne i ofrojmë, dhe pastaj duhet të bëhen xhirimet, sepse nuk është e lehtë që një i mbijetuar të flasë në prani të të tjerëve”, ka thënë ajo.

