Janë makineritë më të sofistikuara për përpunimin e drurit.
Edhe ky laborator për përpunimin e energjisë së ripërtërishme është i modelit të fundit.
Mirëpo këto kabinete, studentët ferizajas me rrethinë mund të mos i përdorin më.
Kjo pasi që Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj rrezikon të mbyllet.
Si shkak për këtë vlerësohet të jetë mosfutja e saj në planifikimin buxhetor nga Minstria e Arsimit për Qarkoren Buxhetore për vitin 2027-2029.
Rektori i Universitetit, Agron Bajraktari thotë se situata e krijuar është shqetësuese.
Për këtë tregon se ka pasur takim edhe me ministrin në detyrë të Arsimit, Hajrullah Çeku, por pa sukses.
“Kemi kërkuar nga ai që të na sqarojë fillimisht duke thënë mos është ndonjë gabim teknik dhe në qoftë se jo, të lutem të na tregoni bazën ligjore dhe të tjerat që keni marrë që Universiteti ynë faktikisht të mbyllet nga 1 janari 2027… Ministri me këtë rast thotë se unë jam zoti i shtëpisë, MASHT është ajo e cila hap dhe mbyll Universitete dhe unë kam marrë këtë vendim për buxhetin e vitit që vjen”, bëri të ditur rektori i Universitetit të Ferizajt, Agron Bajraktari
Ai shprehet optimist se do të ketë reflektim nga ky dikaster, por në të kundërtën thotë se do t’i shfrytëzojnë të gjitha rrugët ligjore.
“Në rast se mbetet në fuqi kjo qarkore buxhetore dhe miratohet si e tillë dmth është një lajm jashtëzakonisht i keq për institucionin, për regjionin, për punëtorët të cilët do të ngelin pa paga, për studentët të cilët do ngelin pa Universitet. Unë besoj shumë, jam mëse i bindur që Universiteti ynë nuk do mbyllet, do të përdoren të gjitha masat, format demoratike ligjore që të mbrojmë USHAF”, u shpreh Bajraktari.
Të prekur nga ky vendim do të jenë edhe Bordi Industrial i përbërë nga biznese të ndryshme që bashkëpunojnë me këtë Universitet.
Enver Haziri, kryetar i Bordit thotë se nga kjo do t’u kufizohet punësimi i studentëve dhe të diplomuarve nga USHAF.
“Çdo biznes që mirret me përpunimin e drurit, të metaleve dhe të plastikës në Kosovë është drejtpërdrejt i atakuar për shkak se të gjitha kanë përfitime nga këto kuadra që kanë rrjedhë nga ky Universitet, bile industria e përpunimit të drurit, metaleve dhe plastikës janë industri lidere që bëjnë eksport të produkteve të Kosovës ‘Made in Kosova’”, deklaroi kryetari i Bordit Industrial, Enver Haziri.
Ai thotë se në rast të keqpërdorimeve duhet bërë përgjegjës individët, e jo të mbyllet i gjithë institucioni.
“Një buxhet simbolik përgatit qindra kuadro në vit dhe është shembull i suksesit. Nëse ka vërejtje ose fakte për keqpërdorime në menaxhim, ne nuk jemi për me i mbrojtë keqpërdorimet dhe keqmenaxhimin në asnjë mënyrë…por jo me u sanksionu një Universitet shembull qysh është USHAF”, thotë Haziri.
Për këtë çështje, tëvë1 ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit, por që deri në publikim të kronikës nuk ka pasur përgjigje.

