Gjatë një vizite në një fabrikë të prodhimit të armëve në rajonin e Minskut në Bjellorusi më 18 gusht, liderit bjellorus, Aleksandr Lukashenkos, iu prezantua një VSK-100B: një pushkë sulmuese, të cilën prodhuesit e saj e përshkruajnë si të prodhuar tërësisht në Bjellorusi.
Nëse ky pretendim është i vërtetë, arma e prodhuar në vend nga Kidma Tech do të shënonte një moment të rëndësishëm për vendin e sanksionuar, e për të cilin burime të brendshme thonë se u bë i mundur falë Teheranit.
Uladzimer Zhyhar, përfaqësues i BelPol, një organizatë e ish-zyrtarëve bjellorusë të sigurisë, e cila ka publikuar një analizë të VSK-100, pretendon se makineritë thelbësore për prodhimin vendas të armës u siguruan nga Irani, pasi sanksionet dhe vështirësitë e tjera penguan përpjekjet e Kidma Tech për të siguruar pajisjet e nevojshme.
“Përmes ambasadës së saj në Austri, Ministria e Jashtme e Bjellorusisë u përpoq të organizonte dorëzimin e një makinerie që përdoret për prodhimin e tytës, komponentit kryesor të pushkës”, thotë Zhyhar.
“Pasi nuk arritën ta blinin atë në Austri, iu drejtuan [gjigantit rus të armëve] Kalashnikov Concern, i cili nuk ishte në gjendje t’i furnizonte me makineritë brenda një afati të arsyeshëm. Autoritetet më pas intensifikuan komunikimet me Iranin dhe arritën një marrëveshje për të marrë pajisjet prej andej”.
Kidma Tech kishte prodhuar një armë me pamje identike në objektin e saj të prodhimit, të quajtur VSK-100 – emri i së cilës vjen nga inicialet Voenno-Sportyvnyy Karabyn (Karabinë Ushtarake Sportive) – që nga viti 2020, por këto armë përfshinin pjesë të siguruara nga vende të tjera.
Alyaksandr Volfovich, kreu i Këshillit të Sigurisë së Bjellorusisë, kishte njoftuar më herët se VSK-100B (ku B-ja supozohet se nënkupton “Bjellorusi”), të cilën ai e përshkroi si “një pushkë sulmuese moderne bjelloruse me 100 për qind lokalizim”, pritet të hyjë në prodhim masiv deri në fund të vitit 2026.
Pushka peshon 4.3 kilogramë pa karikatorin dhe përdor fishekë të kalibrit 7.62 x 39 milimetra – të njëjtit që përdoren nga shumë pushkë kallashnikov të projektuara nga sovjetikët.
Ashtu si pushka kallashnikov AK-74, me të cilën ngjason, arma bjelloruse përdor si standard një karikator me 30 fishekë dhe mund të kalojë nga qitja gjysmëautomatike në atë automatike të plotë.
Sipas analizës së BelPol, Kidma Tech kontrollohet bashkërisht nga Belspetsvneshtechnika, në pronësi të shtetit, e cila zotëron 50 për qind të kompanisë, Electrooptic nga Letonia dhe Sohra Overseas me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat zotërojnë nga një të katërtën e kompanisë.
Sohra Overseas është një kompani shpërndarëse që furnizon pajisje dhe plehra bjelloruse në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Kidma Tech u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja në vitin 2024, ndërsa nga Bashkimi Evropian në vitin 2021.
Zhyhar i tha Shërbimit të Bjellorusisë të Radios Evropa e Lirë se VSK-100 “është thjesht një modernizim i pushkës sulmuese kallashnikov nga një kompani që prodhon pajisje optike dhe komponentë të tjerë”. Ai shtoi se “Kidma Tech thjesht po e pajis pushkën me të njëjtat gjëra që prodhon tashmë”.
Ai beson se pushka e prodhuar në Bjellorusi do t’u shitet “vendeve që, për një arsye ose një tjetër, nuk mund të blejnë armë ligjërisht përmes kanaleve normale”.
Kidma Tech ka pretenduar se arma ka një tytë më të qëndrueshme sesa variantet e saj kallashnikov, gjë që rezulton në një jetëgjatësi më të madhe operative dhe saktësi më të lartë.
Kidma Tech ka prodhuar gjithashtu një version “bullpup” të VSK-100. Armët “bullpup” janë të projektuara me karikatorin dhe mekanizmin e qitjes të vendosur pas këmbëzës.
Kjo zakonisht rezulton në një siluetë më të shkurtër, ku më pak pjesë e tytës së armës del jashtë, megjithëse “bullpup”-i bjellorus është prezantuar me një silenciator, i cili i shton gjatësi armës.
Shërbimi i Bjellorusisë i REL-it foli me një ish-ushtar të një vendi të BE-së, i cili tani punon si instruktor profesionist i armëve të zjarrit. Ai shprehu habi për dizajnin e “bullpup”-it bjellorus.
“Është thjesht një kallashnikov i konvertuar në mënyrë të vrazhdë. Pushka nuk është projektuar kurrë duke pasur parasysh diçka të tillë”, tha ai. “Nuk mund ta kuptoj pse e kanë bërë”./REL/
The post REL: Bjellorusia prodhoi pushkë të re me ndihmën e Iranit, thonë burimet appeared first on Gazeta Express.

