Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion në Deçan lidhur me dyshimet për organizim të veprimtarisë së kundërligjshme të bixhozit.
Gjatë aksionit, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë arrestuar dhe ndaluar pesë persona, të dyshuar për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Gjatë kontrollit të lokalit ku dyshohet se zhvillohej kjo veprimtari, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht materiale që dyshohet se janë përdorur për lojërat e fatit.
Në mesin e provave të sekuestruara janë letra dhe karta loje, pesë telefona mobilë, si dhe 1,615 euro para të gatshme.
Me vendim të prokurorit, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor, prokurori i rastit pritet të ndërmarrë veprimet e mëtejshme procedurale, përfshirë kërkesën për caktimin e masës së sigurimit.

