Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar punën e Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas aksioneve të fundit që çuan në konfiskimin e një sasie të madhe armësh dhe municioni në veri të vendit.
Kurti, gjatë një konference për media, ka thënë se në Republikën e Kosovës ka pasur procese të çarmatimit dhe grumbullimit të armëve ilegale, por jo në veriun e Kosovës.
“Policia e Kosovës, siç e dini, ka prezantuar arsenalin e madh të armëve dhe të municionit që i ka konfiskuar në veri të Kosovës, ju e dini se në Republikën tonë kemi pasur çarmatosje, grumbullim të armëve ilegale anembanë Kosovës, por jo në veriun e Kosovës. Në këto tri vitet e fundit kemi aksione të shumta policore, të cilat praktikisht po marrin armë në duart e atyre që janë ose kriminelë, ose në rastin më të mirë janë potencialisht kriminelë”, tha Kurti.
Ai ka theksuar se aksionet e institucioneve të sigurisë kanë rezultuar jo vetëm me konfiskimin e armëve nga persona që kanë kryer krime, por edhe me parandalimin e krimeve të mundshme, raporton kp.
“Armatimi ilegal me tyta të gjata nuk është për hajr, por veç për sherr, pra jo vetëm që kemi konfiskuar armatim të atyre që kanë bërë krime, por në të njëjtën kohë kemi konfiskuar edhe armatim duke parandaluar krime në vijim. Prandaj është punë e jashtëzakonshme e Policisë dhe AKI-së”, shtoi Kurti.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë operacioneve të zhvilluara nga 6 deri më 17 gusht në zonën e Zubin Potokut janë kontrolluar gjithsej 45 lokacione. Gjatë këtyre aksioneve janë konfiskuar 72 armë, mijëra copë municion, granata, pjesë të armëve, si dhe pajisje dhe uniforma ushtarake.

