Ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Malit të Zi, Dejan Peruniciq, është dënuar me pesë vjet burg për urdhërimin e përgjimit dhe mbikëqyrjes së paligjshme të ish-liderëve të opozitës, gazetarëve dhe personaliteteve të kishës nga fundi i vitit 2019 deri në zgjedhjet e 30 gushtit 2020.
Ish-agjenti sekret Srgjan Paviceviq është dënuar me një vit e katër muaj, raporton RTCG.
Peruniciq po gjykohet në bazë të tre aktakuzave nga Zyra e Prokurorit të Posaçëm të Shtetit, të cilat e akuzojnë atë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Peruniciq dhe Paviceviq dyshohen për veprat penale të përgjimit dhe mbikëqyrjes së zyrtarëve të Frontit Demokratik, ish-Kryeprokurorit të Posaçëm Milivoj Katniq dhe disa individëve të tjerë.
I pandehuri akuzohet se, në periudhën nga dhjetori 2019 deri në gusht 2020, në Podgoricë, ka shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme pozicionin e tij zyrtar dhe kompetencat e drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, sepse, në kundërshtim me Ligjin për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe pa miratimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme të Malit të Zi ose gjyqtarit që e zëvendëson atë, ka lëshuar urdhra me gojë zyrtarëve të panjohur të Agjencisë për zbatimin e mbikëqyrjes së komunikimeve elektronike për numrat telefonikë të 50 personave fizikë, një partie politike, disa shoqërive ekonomike dhe një bashkësie fetare, të cilët i kanë zbatuar ato dhe kështu kanë shkelur rëndë të drejtat e tyre për respektimin e jetës private dhe familjare, të garantuara nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe Kushtetuta e Malit të Zi, deklaroi Zyra e Prokurorit.
Peruniciq u arrestua në vitin 2021 dhe u shkarkua nga kreu i Agjencisë në mesin e dhjetorit 2020.
The post “Përgjoi opozitën, gazetarët dhe klerin, ish-shefi i sigurisë në Mal të Zi dënohet me 5 vjet burg appeared first on Gazeta Express.



