Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve H.M., dhe A.D., për shkak se dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ndërsa, aktakuzë u ngrit edhe kundër të pandehurit N.B., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Ndërtimi pa leje”, si dhe kundër të pandehurit A.H., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.
Sipas aktakuzës, rasti ka të bëjë me dyshimet për parregullsi gjatë mbikëqyrjes dhe realizimit të punimeve ndërtimore në një objekt në Komunën e Suharekës, për të cilin ishte lëshuar leje ndërtimore.
I pandehuri H.M, në cilësinë e Inspektorit të Ndërtimtarisë pranë Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Suharekës, dhe A.D., në cilësinë e Drejtorit të Inspekcioneve në Komunën e Suharekës, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme pas konstatimit të parregullsive në objekt.
Sipas aktakuzës, edhe pse investitori ishte urdhëruar që t’i ndërpriste punimet dhe të pajisej me leje ndërtimore, kontrolli i mëtejshëm nuk është kryer brenda afatit të përcaktuar. Ndërsa, gjatë inspektimit të mëvonshëm, gjendja e objektit nuk është pasqyruar në mënyrë reale, duke mos u evidentuar të gjitha tejkalimet nga leja ndërtimore.
Në anën tjetër, investitori N.B., objektin e lartcekur e ka ndërtuar në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit. Për objektin ishte lejuar ndërtimi me etazhitet B+P+2, ndërsa, sipas aktakuzës, objekti është realizuar me B+P+3, si dhe janë bërë tejkalime të vijave ndërtimore për rreth 730 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar përtej parametrave të lejuar.
Këto tejkalime i kanë mundësuar investitorit përfitim në vlerë prej rreth 716 mijë euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm financiar në vlerën e taksave të papaguara.
Ndërkaq, A.H., si pronar i kompanisë ndërtimore “B.P.”, e cila ka realizuar projektimin dhe punimet ndërtimore në objekt, ka kryer punime ndërtimore në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
The post Përfitoi 716 mijë euro për ndërtimin pa leje, aktakuzë ndaj dy zyrtarëve, një investitori dhe pronarit të kompanisë në Suharekë appeared first on Gazeta Express.

