Policia italiane ka arrestuar 539 persona gjatë një operacioni të koordinuar në mbarë vendin kundër krimit të të rinjve, ndërsa 954 të tjerë janë proceduar penalisht. Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, mes të arrestuarve janë edhe 47 të mitur.
Operacioni, i udhëhequr nga Shërbimi Qendror i Operacioneve, u zhvillua në 44 provinca dhe përfshiu kontrolle të gjera në zona të njohura për trafik droge dhe aktivitete të natës. Gjatë aksionit u identifikuan rreth 188 mijë persona, përfshirë mbi 19 mijë të mitur.
Autoritetet zbuluan gjithashtu 973 profile në rrjetet sociale që promovonin urrejtje, dhunë dhe përdorimin e armëve. Dy prej tyre iu referuan autoriteteve gjyqësore për bllokim të mundshëm.
Gjatë operacionit u sekuestruan mbi 700 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë 41 kilogramë kokainë, 660 kilogramë kanabinoide dhe 2 kilogramë ketaminë. Policia konfiskoi gjithashtu rreth 1.000 tableta oksikodoni, si dhe sasi ekstazie, MDMA, metamfetamine dhe benzodiazepinash.
Forcat e rendit kontrolluan 1.182 objekte, përfshirë qendra për të mitur të huaj të pashoqëruar, salla argëtimi, lokale tregtare dhe vende publike. Aksioni çoi në sekuestrimin e rreth 307 mijë eurove para në dorë, 49 armëve të zjarrit, municioneve, 87 armëve me teh dhe dhjetëra mjeteve të tjera të rrezikshme.
Policia konfiskoi gjithashtu mallra të dyshuara të vjedhura, si bizhuteri ari dhe telefona celularë, ndërsa autoritetet shqiptuan 506 masa administrative, kryesisht për përdorim droge dhe shitje të pijeve alkoolike personave nën moshë.

