Një grua ka humbur jetën, ndërsa katër persona të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e aksidentit të trafikut që ndodhi të dielën në fshatin Shushicë të Istogut.
Sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, rreth orës 16:00 në Shërbimin e Emergjencës është pranuar një paciente pa shenja jete, e cila kishte pësuar politraumë si pasojë e aksidentit.
“Përkundër procedurave të ndërmarra, është konstatuar se pacientja ishte pa shenja jete”, thuhet në njoftim.
Rreth orës 16:30 në Emergjencë janë pranuar edhe katër persona të lënduar nga i njëjti aksident.
Një fëmijë është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i intubuar dhe nën përcjelljen e ekipit të Anestezionit, për trajtim të mëtejmë. Sipas mjekëve, ai ka pësuar politraumë, hemorragji intrakraniale dhe frakturë të femurit.
Po ashtu, një paciente është hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë me frakturë të femurit.
Dy pacientë të tjerë, pas ekzaminimeve dhe trajtimit mjekësor, janë liruar për trajtim ambulantor, pasi kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës për humbjen e rëndë, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim sa më të shpejtë.

