Pas sulmeve, tregu i pasurive të paluajtshme në Dubai sipas agjentëve imobiliarë po përballet me rënie të kërkesës për apartamente me qira ditore, ndërsa transaksionet e shitjes kanë “ngrirë”.
Agjentët real estate shqiptarë rezident në Dubai, pohojnë se kjo ka ndikuar në rënien e çmimeve, veçanërisht për apartamentet me qira ditore.
Por ngadalësim i tregut dhe rënie e çmimeve, të ndikuara nga pasiguria në rajon vijon të rrisë interesin e investitorëve të huaj që më parë investonin në Dubai, për të investuar në Shqipëri.
Sipërmarrësi në tregun e pasurive të paluajtshme në Dubai, Sokol Çili tha për Monitor se aktualisht tregu i apartamenteve në Dubai po përballet me rënie çmimesh të qirave ditore, ndikuar nga reduktimi i aktivitetit të disa kompanive, të cilat kanë shkurtuar stafin dhe kanë pezulluar përkohësisht investimet në prona. Ndërsa transaksionet për shitjen e apartamenteve aktualisht janë “të ngrira”.
Sipas tij, kjo situatë po shtyn një pjesë të investitorëve të huaj që më parë investonin në Dubai, të eksplorojnë tregje të reja, përfshirë Shqipërinë.
“Aktualisht investitorë të huaj të vegjël dhe të mesëm që investonin në Dubai, janë duke testuar tregun e pasurive të paluajtshme për investime në Shqipëri”, pohon ai.
Reinaldo Pipiria drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërmjetësuesve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA), thekson se Shqipëria mund të përfitojë nga kjo lëvizje kapitale, pasi investitorët me kapital më të kufizuar mund të zhvendosen drejt tregjeve në rritje, ndërsa të tjerët të diversifikojnë investimet e tyre.
Sipas tij, Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një treg alternativ për investime në pasuri të paluajtshme, për shkak të stabilitetit për të bërë biznes, potencialit të turizmit dhe mungesës së ekspozimit ndaj konflikteve.
“Për ata që nuk kanë shumë rezerva financiare, do të largohen nga Dubai dhe do të kërkojnë tregje në rritje si Shqipëria. Për ata që kanë kapital të mjaftueshëm, do të zgjerojnë prezencën e tyre në Dubai ose do të hyjnë në treg me çmimet aktuale.
Si rezultat, tregu shqiptar mund të përballet me rritje të kërkesës nga blerës që më parë investonin në Lindjen e Mesme. Këta blerës do të kërkojnë tregje në zgjerim, por edhe të qëndrueshme dhe pa konflikte.
Shqipëria shpesh shihet si një portë hyrëse drejt Europës për investitorët nga Lindja e Mesme. Tregjet evropiane janë përgjithësisht më të ngadalta, më burokratike dhe nuk ofrojnë rritje të shpejtë.
Në kohë pasigurie, investitorët kërkojnë destinacione alternative që janë të sigurta dhe ofrojnë potencial për rritje të çmimeve, zhvillim të turizmit dhe integrim në BE. Në këtë kuptim, Shqipëria ofron stabilitet dhe mundësi zhvillimi të tregut.
Mund të ketë gjithashtu sinjale fillestare të zhvendosjes së kapitalit, përfshirë interes nga investitorë nga Katari dhe vende të ngjashme. Grupet e investimeve nga Lindja e Mesme po diversifikojnë portofolin e tyre duke investuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe tregje të tjera”.
Si ndryshojnë çmimet e pronave krahasuar me Shqipërinë
Në fund të prillit, tregu i qirave ditore në Tiranë po rezulton ndjeshëm më i shtrenjtë se në Dubai, sipas të dhënave të tregut imobiliar.
Në Dubai, çmimet e apartamenteve me qira ditore nisin nga rreth 27–30 euro për prona luksoze në distancë deri në 1 km nga qendra, ndërsa në zona më të afërta me qendrën variojnë nga 40 deri në 50 euro, duke arritur deri në 64 euro për natë.
Ndërkohë, në Tiranë, apartamentet me qira ditore në distancë rreth 1 km nga qendra variojnë nga 44 deri në 72 euro për natë, ndërsa në zona më afër qendrës (deri në 350 metra) çmimet arrijnë deri në 70 euro për natë. Çmimet minimale për zonat me largësi deri 1 km nga qendra në Tiranë rezultojnë rreth 60% më të shtrenjta sesa Dubai.
Ndërsa në Vlorë çmimet e apartamenteve me qira ditore vijojnë nga 30 deri 70 euro/nata.
Në tregun e shitblerjes, në Dubai, akualisht çmimet e apartamenteve sipas të dhënave të marra nga agjencitë imobiliare nisin nga 4,500 – 5 mijë euro për metër katror, ndërsa në bregdetin shqiptar këtë vit disa prona luksoze kanë arritur nga 5 mijë deri në 6 mijë euro për metër katror, duke tejkaluar në disa raste edhe çmimet e kullave në Tiranë.
Ndërkohë, në zonat bregdetare si Saranda dhe Vlora, agjentët raportuan më herët interes në rritje nga investitorë të huaj. Drejtuesi i agjencisë “Saranda Property”, Eron Çumani, pohoi më herët se disa investitorë që më parë orientoheshin drejt Dubait, tani po shqyrtojnë Shqipërinë si alternativë për investime në vila dhe apartamente.
Sipas tij, ky trend lidhet me kërkimin e tregjeve më të qëndrueshme dhe me potencial rritjeje, ku kthimi i investimit mund të realizohet përmes qiradhënies dhe rritjes së vlerës së pronës. Ai shton se kjo mund të ndikojë në rritjen e kërkesës dhe çmimeve në zonat premium bregdetare në Shqipëri.
“Tashmë po shfaqet faza fillestare e interesimit, ku disa shoqëri që blinin prona në Dubai po shqyrtojnë mundësinë për të investuar në vila dhe apartamente në Shqipëri, me qëllim kthimin e kapitalit përmes qiradhënies apo rritjes së vlerës së pronave. Ky trend pritet të rrisë kërkesën dhe të ndikojë gradualisht në çmimet e pronave në zonat premium bregdetare të vendit”, pohoi ai më herët.
The post Ngrin shitja e apartamenteve në Dubai, agjentët imobiliarë: Interesi për Shqipërinë në rritje appeared first on Gazeta Express.



