Sëmundjet kronike jo–ngjitëse vazhdojnë të mbeten ndër problemet më serioze të shëndetit publik në Kosovë.
Numri i rasteve me sëmundje kardiovaskulare, diabet, kancer dhe sëmundje kronike të frymëmarrjes vazhdon të jetë i lartë, ndërsa shqetësues mbetet edhe fakti se këto sëmundje po paraqiten gjithnjë e më shpesh tek moshat më të reja.
Për të folur më shumë rreth situatës aktuale, faktorëve që po ndikojnë në rritjen e rasteve dhe masave që duhet të ndërmerren në nivel institucional dhe shoqëror, kemi biseduar me doktoreshën Ardita Barakun, Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Në një intervistë për Telegrafin ajo ndan të dhëna, vlerësime dhe rekomandime lidhur me trendët e viteve të fundit dhe sfidat që e presin sistemin shëndetësor në trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve kronike jo–ngjitëse.
Intervista e plotë:
Si do ta përshkruanit situatën aktuale të sëmundjeve kronike jo–ngjitëse në Kosovë, bazuar në përvojën tuaj dhe trendët e pesë viteve të fundit?
Ardita Baraku: Sëmundjet kronike jo–ngjitëse paraqesin një sfidë serioze për shëndetin publik në Kosovë, pasi ato përbëjnë shkakun kryesor të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend. Bazuar në të dhënat e grumbulluara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë pesë viteve të fundit është vërejtur një trend në rritje i rasteve të raportuara, veçanërisht për sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, sëmundjet malinje dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes.
Cilat janë sëmundjet kronike jo–ngjitëse më të shpeshta sipas të dhënave zyrtare?
Ardita Baraku: Raportet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me sëmundjet kronike jongjitëse tregojnë se sëmundja më e shpeshtë që evidentohet është hipertensioni arterial, i cili përbën rreth gjysmën e të gjitha rasteve të raportuara. Pas tij, janë dy llojet e diabetit (diabeti i pavarur nga insulina dhe diabeti i varur nga insulina), si dhe tumoret malinje, sidomos të organeve të tretjes, të lëkurës dhe gjirit.

A keni vërejtur ndryshime në moshën e pacientëve të prekur nga këto sëmundje gjatë viteve të fundit?
Ardita Baraku: Sipas grup-moshave, sëmundjet kronike jo–ngjitëse dominohen nga grup-mosha 60+, e cila përbën mesatarisht mbi 70% rasteve. Megjithatë, këto sëmundje kanë filluar të paraqiten gjithnjë e më shpesh tek moshat e reja. Kështu, në vitin 2024 ka pasur një rritje prej rreth 42% të rasteve të evidentuara te moshat e reja (0-14 vjeç) në krahasim me vitin paraprak, në veçanti të diabetit tip 2 dhe sëmundjeve kronike të frymëmarrjes. Edhe pse numri total i rasteve nuk është i lartë, kjo e dhënë është shqetësuese dhe tregon se ekspozimi ndaj faktorëve të rrezikut fillon që në fëmijëri dhe adoleshencë.
Si duhet të interpretohen ndryshimet në numrin e rasteve ndër vite: a kemi rritje reale të sëmundjeve apo ndikim të diagnostikimit dhe raportimit më të mirë?
Ardita Baraku: Ndryshimet në numrin e rasteve të sëmundjeve kronike jo ngjitëse reflektojnë të tre faktorët. Nga njëra anë, kemi një rritje reale të rasteve të reja, për shkak të stilit modern të jetesës dhe plakjes së popullsisë. Nga ana tjetër, përmirësimi i qasjes në shërbime shëndetësore dhe kapaciteteve diagnostikuese sjell rritje të numrit të rasteve por njëkohësisht është edhe tregues i sistemit të mirë shëndetësor. E fundit, fuqizimi i raportimit të të dhënave shëndetësore statistikore po ashtu sjell rritje të rasteve, por që në vete është edhe shenjë e përmirësimit të performancës shëndetësore.
Nga përvoja juaj, cilët faktorë ndikojnë më shumë në përhapjen e këtyre sëmundjeve tek grup–moshat e ndryshme?
Ardita Baraku: Faktorët e rrezikut për sëmundjet kronike jo ngjitëse ndahen në tri grupe. Faktorët e sjelljes – duhanpirja, ushqyerja jo e shëndetshme përfshirë edhe konsumin e pakontrolluar të sheqerit, kripës dhe yndyrave, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumi i alkoolit. Këto pastaj kontribuojnë në faktorët metabolikë – tensioni i gjakut, pesha trupore, niveli i sheqerit dhe yndyrave në gjak, që rrisin rrezikun për sëmundje kronike. Prej faktorëve ambiental, më të rëndësishëm janë ajri i jashtëm dhe i brendshëm. Sipas moshës, tek të rinjtë më shumë mbizotërojnë faktorët e sjelljeve ndërsa tek moshat madhore dhe të moshuarit shtohen edhe faktorët metabolikë për shkak të ekspozimit afatgjatë ndaj faktorëve të sjelljes dhe ndryshimeve biologjike të organizmit.

Si përdoren në praktikë të dhënat statistikore për të ndërtuar politika apo ndërhyrje konkrete në shëndetin publik? Mund të ndani një shembull nga puna juaj?
Ardita Baraku: Të dhënat statistikore janë evidenca të cilat paraqesin themelin e çdo politike efektive të shëndetit publik. Ato na ndihmojnë të identifikojmë problemet, grupet më të rrezikuara të popullatës dhe ndryshimet gjatë viteve. Për shembull, të dhënat mbi përdorimin e duhanit dhe sëmundjet kardiovaskulare kanë shërbyer si bazë për forcimin e legjislacionit për kontrollin e duhanit dhe për implementimin e vërejtjeve të kombinuara shëndetësore në pakot e duhanit. Po ashtu, bazuar në të dhënat për sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë nga sëmundjet kronike, është punuar Plani i Veprimit për të ushqyerit e shëndetshëm për të ndikuar në zvogëlimin e faktorëve të sjelljes; ndërsa të dhënat për sëmundjet malinje kanë qenë udhëzues për inicim të hartimit të tri planeve të veprimit për skrining të kancerit të gjirit, zorrës së trashë dhe qafës së mitrës.
Nëse trendet aktuale vazhdojnë, çfarë pasojash prisni dhe cilat masa konkrete do të rekomandonit?
Ardita Baraku: Sëmundjet kronike jo ngjitëse ndikojnë në cilësinë e jetës, rrisin shpenzimet shëndetësore, ulin produktivitetin ekonomik, shkaktojnë komplikime e invaliditet dhe vdekje të parakohshme. Prandaj, krahas angazhimit për menaxhim të rasteve ekzistuese, bëhen edhe përpjekje për të zvogëluar numrin e rasteve të reja. Investimi në parandalim është strategji e vërtetuar, kost-efektive dhe e qëndrueshme. Intervenimet e rekomanduara janë politika publike për kontroll të faktorëve të rrezikut, promovimi i stilit të shëndetshëm të jetës, edukimi shëndetësor i popullatës në të gjitha fazat e jetës, fuqizimi i shërbimeve të kujdesit parësor, programe skriningu, fuqizimi i diagnostikimit dhe trajtimit të hershëm, fuqizimi i raportimit të të dhënave statistikore dhe mbikëqyrja sistematike e sëmundjeve kronike. /Telegrafi/
Kjo intervistë është realizuar në kuadër të aktivitetit “Përtej titujve: Gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS). IHS është nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e intervistës nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e IHS-së apo AGK-së.


