By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Nga Amerika Latine në Kosovë: Si trafikohen gra për shërbime seksuale?
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Nga Amerika Latine në Kosovë: Si trafikohen gra për shërbime seksuale?
TOP Momenti

Nga Amerika Latine në Kosovë: Si trafikohen gra për shërbime seksuale?

Momenti
Published: July 21, 2026

Në pak sekonda mund ta zgjedhësh qytetin. Më pas kombësinë, moshën, gjatësinë, peshën, ngjyrën e flokëve dhe të syve, e madje edhe preferencat seksuale.

Mjafton një klikim dhe në ekran të shfaqen dhjetëra profile grash që ofrojnë shërbime eskorte në Kosovë.

Your browser does not support the video tag.

Sipas autoriteteve kosovare, prapa disa prej këtyre profileve nuk fshihen gra që veprojnë me vullnetin e tyre, por viktima të trafikimit me qenie njerëzore.

Në këtë platformë, të identifikuar edhe nga Policia e Kosovës për shitje të shërbimeve seksuale, Radio Evropa e Lirë gjeti shumë profile të grave nga shtetet e Amerikës Latine.

Disa prej profileve thuhet të jenë të verifikuara nga vetë platforma, e cila ofron shërbime në të gjithë Evropën.

“Ato që rekrutohen nga jashtë, sidomos nga shtetet e Amerikës Latine, rekrutohen me kontrata të rregullta. Paraqiten si punëtore të rregullta në Kosovë, me lejeqëndrim dhe pajisen me kontratë pune”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Zana Sadiku-Sertolli nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Sadiku-Sertolli, e cila është koordinatore për veprat penale të trafikimit me qenie njerëzore, thotë se kjo formë e rekrutimit dhe organizimit e ka vështirësuar ndjekjen penale të këtyre rasteve.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme – përgjegjëse për lëshimin e lejeve të punës dhe lejeqëndrimeve për shtetas të huaj – për politikat dhe strategjitë për luftimin e këtij fenomeni, por as pas tri javësh nuk ka marrë përgjigje.

Lidhur me platformën ku ofrohet shërbimi i eskortave, REL-i ka pyetur edhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) nëse ka pasur ndonjë kërkesë për të bllokuar qasjen në këtë ueb-faqe në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje.

Në të kaluarën, ARKEP-i ka ndërhyrë duke detyruar ofruesit e internetit dhe operatorët mobilë të bllokojnë faqet e mediave ruse të sanksionuara në Kosovë. Ndërsa, edhe pse me shërbime që bien ndesh me ligjin, shumë platforma të basteve online që funksionojnë nga jashtë vendit, janë të qasshme në Kosovë.

Policia e Kosovës ka thënë për REL-in se është duke monitoruar ueb-faqet e dyshuara, përfshirë atë ku listohen edhe gra nga Amerika Latine, por ka shtuar se “në këtë fazë nuk mund të ofrojmë informata të tjera”.

Në një raport të publikuar vitin e kaluar nga ky institucion thuhet se Kosova “vazhdon të mbetet vend i origjinës, transitit dhe destinacionit për viktimat e trafikimit” dhe se një nga format e reja të identifikuara është ofrimi i shërbimeve seksuale përmes faqeve online të eskortave.

Sipas atij raporti, viktimat janë zakonisht të moshave nga 18 deri në 30 vjeç dhe vijnë në mënyrë të organizuar nga vende si: Brazili, Venezuela, Kolumbia e Peruja.

Pikërisht një shtetase e Perusë është arrestuar në Prishtinë në vitin 2024 nën dyshimet se ishte njëra nga organizatoret e këtij rrjeti të trafikantëve.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar më shumë të dhëna nga Prokuroria Speciale për vazhdimësinë e procedurave në këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje.

Para disa muajsh, mediumi Kallxo.com raportoi se kishte siguruar një pjesë të dosjes hetimore të këtij rasti, ku dyshohet se organizatorët e rrjetit ua merrnin mbi 50 për qind të fitimeve vajzave të trafikuara, që rriheshin nëse nuk respektonin udhëzimet.

Edhe në Bosnje e Hercegovinë, Zyra e Prokurorëve tha për REL-in se gjatë viteve 2025 dhe 2026 ka identifikuar disa shtetase braziliane të shfrytëzuara seksualisht përmes së njëjtës platformë.

Sipas saj, një grup i organizuar kriminal organizonte transportin dhe akomodimin e viktimave, ndërsa fitimet u dërgoheshin organizatorëve përmes kriptovalutave. Në hetime janë përfshirë edhe Europol-i, Interpol-i dhe autoritetet braziliane.

Në Kosovë, bashkëpunimi juridik me vendet e origjinës së këtyre viktimave është dëshmuar më i ndërlikuar në rastet ku vendi nuk ka marrëdhënie diplomatike me vendin e origjinës së viktimës, tregon prokurorja Sadiku-Sertolli.

“Ka shtete që nuk e njohin Kosovën dhe duhet të ekzistojë një marrëveshje bilaterale me shtetin ku e ka origjinën ajo viktimë, pasi që duhet të vlerësohet se a do të ishte e sigurt viktima që të kthehej atje [ose jo]”, thotë ajo, duke shtuar se, megjithatë, ky problem zgjidhet zakonisht përmes Zyrës për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë.

Ky fenomen nuk kufizohet vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Agjencia evropiane e policisë, Europol, thotë se trafikimi për shfrytëzim seksual, përfshirë i grave nga Amerika Latine, është pjesë e rrjeteve kriminale që veprojnë në disa kontinente.

Në qershor të këtij viti, disa agjenci të policisë dhe sigurisë – Europol-i, Interpol-i, Frontex-i dhe Ameripol-i – koordinuan një operacion ndërkombëtar kundër trafikimit me qenie njerëzore, ku morën pjesë edhe autoritetet kosovare.

Operacioni përfundoi me mbi 1.000 arrestime dhe identifikimin e një numri të madh viktimash nga Amerika Latine.

“Gjatë fazës operative, vendet pjesëmarrëse kryen veprime të synuara për zbatimin e ligjit, duke përfshirë kontrolle të përforcuara në pikat e nxehta, si kufijtë dhe aeroportet, si dhe hetime proaktive për rastet në vazhdim, që kërkojnë bashkëpunim operativ të nivelit të lartë”, tha Europol-i në përgjigjen për REL-in.

Kosova nuk listohet në mesin e vendeve ku pati arrestime.

Ndërkohë, edhe në Shqipëri, mediat kanë raportuar për një situatë të ngjashme si në Kosovë me eskorta nga vendet e Amerikës Latine, por autoritetet shtetërore nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it për këtë temë.

Ndërsa, në Serbi, ku është rritur numri i viktimave të identifikuara të trafikimit, raportuesi kombëtar për këto raste, Zoran Pashalliq, i tha REL-it se, deri më tani, nuk ka të dhëna për viktima nga Amerika Latine.

Për dallim nga Serbia, statistikat në Kosovë tregojnë se numri i viktimave të identifikuara të trafikimit ka rënë në vitet e fundit.

Megjithëse nuk specifikohet se sa prej tyre janë shfrytëzuar seksualisht, vetë policia e cilëson këtë si një nga format më të përhapura të trafikimit dhe pranon se numri real i viktimave besohet të jetë më i lartë.

Këtë muaj, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion nëpër sallone masazhi dhe në lokale të natës me muzikë, i cili përfundoi me arrestimin e disa personave.

Megjithatë, ata u dyshuan për veprat penale të mundësimit të prostitucionit e jo për trafikim me qenie njerëzore.

Ku qëndron dallimi? Prokurorja Sadiku-Sertolli thotë se dallimi qëndron te liria e personit: trafikimi nënkupton se viktima rekrutohet, kontrollohet ose detyrohet për t’u shfrytëzuar, ndërsa mundësimi i prostitucionit lidhet me organizimin ose përfitimin nga prostitucioni.

Ajo tregon se për shkak se trafikuesit sigurohen të mos lënë prova materiale, institucionet e hetuesisë në Kosovë e kanë të vështirë të sigurojnë prova materiale përtej deklaratave të viktimave.

“Këtu, sfidë tjetër është që viktimën ta bindësh që është viktimë e trafikimit”, tregon Sadiku-Sertolli, duke theksuar se ky problem shfaqet veçanërisht te viktimat nën moshën 18-vjeçare.

Sipas një raporti të Policisë së Kosovës, gjatë viteve 2021-2024 janë identifikuar 42 viktima në këtë grup-moshë, prej të cilave tetë ishin të moshave nga 12 deri në 14 vjeç. Shumica prej tyre thuhet të jenë shfrytëzuar për shërbime seksuale.

Por, jo vetëm mungesa e gjurmëve të lëna nga trafikuesit e vështirëson ndjekjen penale të këtyre rasteve, thotë Sadiku-Sertolli.

Ajo thotë se, pavarësisht bashkëpunimit të mirë mes institucioneve, sfida mbeten kapacitetet e kufizuara të disa prej tyre, veçanërisht mungesa e stafit në shërbimet sociale dhe pajisjeve të punës për policë.

Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për rastet e trafikimit me qenie njerëzore në tre vjetët e fundit janë shqiptuar vetëm dy dënime me burgim.

Kodi Penal parasheh dënime prej pesë deri në 12 vjet burgim për trafikimin me qenie njerëzore, ndërsa në rastet më të rënda dënimi mund të arrijë deri në burgim të përjetshëm.

E, raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin me qenie njerëzore për vitin 2025 kritikon Kosovën pikërisht për politikën ndëshkimore.

Në raport thuhet se dënimet nën minimumin ligjor dhe “shqiptimi i gjobave si ndëshkim i vetëm minojnë përpjekjet për t’i mbajtur trafikuesit përgjegjës, dobësojnë efektin parandalues, krijojnë shqetësime të mundshme për sigurinë e viktimave dhe nuk pasqyrojnë seriozitetin e kësaj vepre penale”.

I njëjti raport vë në pah edhe një tjetër problem, të cilin e thekson edhe prokurorja Sadiku-Sertolli: mungesën e trajnimeve dhe ekspertizës.

Sipas raportit, shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk kanë trajnim dhe përvojë të mjaftueshme, veçanërisht në rastet që përfshijnë kontroll emocional ose psikologjik të viktimave – gjë që mund të ndikojë në shqiptimin e dënimeve më të lehta ose në kualifikimin e rasteve si vepra penale me dënime më të ulëta se trafikimi me qenie njerëzore.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetje Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me sfidat që gjykatat hasin në trajtimin e rasteve të trafikimit me qenie njerëzore dhe masat që po ndërmerren për forcimin e kapaciteteve të gjyqtarëve në këtë fushë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

You Might Also Like

Venezuela nënshkruan marrëveshje energjetike me gjigantët amerikanë dhe italianë
ESHS: PBV në Maqedoni u rrit për 4.3% në tremujorin e dytë të vitit 2026
Rigjykimi për 53-milionëshin, mbrohen në heshtje Pal Lekaj dhe të tjerët
Një i pandehur dënohet me 5 vite burgim në Mitrovicë për mashtrim
Shkupi dhe dhjetë komuna tjera bëhen me 49 automjete të reja për mirëmbajtje të pastërtisë publike

LEXO GJITHASHTU

Goditi me grushte punonjësin e policisë, arrestohet 27-vjeçari në Sarandë
Goditi me grushte punonjësin e policisë, arrestohet 27-vjeçari në Sarandë
Lajme
Dodë Gjergji kërkon dialog për fenë dhe bashkëjetesën: Përgjegjësia nuk u takon vetëm prijësve fetarë
Dodë Gjergji kërkon dialog për fenë dhe bashkëjetesën: Përgjegjësia nuk u takon vetëm prijësve fetarë
Lajme
Peci për përçarjet në LDK: Kur flet në emër të shtëpisë, duhet të jesh i sigurt se e përfaqëson atë
Peci për përçarjet në LDK: Kur flet në emër të shtëpisë, duhet të jesh i sigurt se e përfaqëson atë
Lajme
Ferrari “kthen” Schumacher në pistë: Italia nderon ish kampionin e madh të Formula 1
Ferrari “kthen” Schumacher në pistë: Italia nderon ish kampionin e madh të Formula 1
Lajme
Stuhi e tmerrshme në Toronto: Era shkul pemët dhe rrëmben copa ndërtesash
Stuhi e tmerrshme në Toronto: Era shkul pemët dhe rrëmben copa ndërtesash
Lajme

You Might Also Like

Mickoski: Nuk kam frikë nga hetimi për kredinë hungareze
TOP Momenti

Mickoski: Nuk kam frikë nga hetimi për kredinë hungareze

September 3, 2026
Kundërshtoi Sejdiun për president, Zemaj reagon pas kritikave: LDK-ja nuk është pronë e askujt
TOP Momenti

Kundërshtoi Sejdiun për president, Zemaj reagon pas kritikave: LDK-ja nuk është pronë e askujt

September 3, 2026
​Veteranët paralajmërojnë protesta nëse dënohen krerët e UÇK-së: Nuk do të ndalemi derisa ta arrijmë qëllimin
TOP Momenti

​Veteranët paralajmërojnë protesta nëse dënohen krerët e UÇK-së: Nuk do të ndalemi derisa ta arrijmë qëllimin

September 3, 2026
Sekuestrohen rreth 10 kg marihuanë në Nabërgjan të Pejës – rasti po hetohet
TOP Momenti

Sekuestrohen rreth 10 kg marihuanë në Nabërgjan të Pejës – rasti po hetohet

September 3, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?