Faruk Bojaxhi, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se ndarja e 100 eurove është ndihmë e bërë kryekëput për qëllime politike.
Në emisionin Tempus në T7, ai tha se Qeveria aktuale nuk ka zgjidhje tjetër për të fituar vota, pasi sipas tij, deri më tani ka prodhuar vetëm kriza dhe nuk po gjen formë apo rrugë për t’i mbuluar dështimet e bëra gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit.
“Një ndihmesë e tillë për qytetarin, një 100 eurosh, nuk i bën hajër qytetarëve, për arsye se kjo është edhe një fyerje e integritetit të secilit student e pensionist. Qeveritë normale dhe stabile duhet të punojnë që të krijojnë punësime stabile, të krijojnë të ardhura të përhershme për qytetarët dhe jo që qytetarët të presin se kur Qeveria po i ndan nga 100 euro”, tha Bojaxhi.
Gjithashtu, ai tha se veprime të tilla Qeveria ka bërë disa herë dhe se shpresojnë që këto veprime të ndalohen, sepse sipas tij, edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës një gjë e tillë është e ndaluar.
Po ashtu, ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të mendojnë mirë kur i marrin ato para, pasi sipas tij, këto para janë vetëm një mashtrim dhe asgjë tjetër.
The post Ndarja e 100 eurove, Bojaxhi: Ndihmë kryekëput për qëllime politike appeared first on Gazeta Express.
