Në episodin e tetë të podcastit “Rrugëtimi”, Brikena Berisha projekt menaxhere në Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe anëtare e Forumit Ekonomik të Gruas, flet për realitetin e tregut të punës, koston e jetesës, pozitën e grave dhe arsyet që po i shtyjnë të rinjtë të largohen nga Kosova.
Ajo sjell një realitet domethënës: nga dhjetë gra me karroca që mund t’i shohim në rrugët e Kosovës, vetëm dy mund të jenë në pushim të lehonisë, ndërsa tetë të tjera të papuna. Ndërkohë, familjet kosovare shpenzojnë më shumë se gjysmën e buxhetit vetëm për ushqim.

Berisha thotë se paga nuk është arsyeja e vetme pse njerëzit po largohen nga Kosova. Shëndetësia, shkollimi dhe mbrojtja sociale janë ndër problemet sistemike që, sipas saj, po ndikojnë në vendimet për emigrim.
Pse gratë largohen nga tregu i punës pasi krijojnë familje? A po i penalizon sistemi vajzat e reja gjatë punësimit? Pse Kosovës i duhet një Fond i Sigurimeve Shoqërore dhe çfarë duhet të ndryshojë në Ligjin e Punës?
Për këto dhe shumë më tepër, ndiqeni të hënën e ardhshme episodin e tetë të “Rrugëtimit”. /Telegrafi/
