Më shumë se 150 emigrantë janë shpëtuar pasi varka me të cilën po tentonin të kalonin Kanalin Anglez drejt Britanisë së Madhe u përfshi nga zjarri të martën në mëngjes, njoftuan autoritetet franceze.
Sipas prefekturës detare franceze, zjarri nisi nga motori i varkës. Gjithsej 157 persona u shpëtuan dhe po dërgohen në portin e Boulogne-sur-Mer. Nuk raportohet për të lënduar apo viktima.
Varka ishte nisur nga Franca të hënën në mbrëmje. Autoritetet thanë se disa persona fillimisht refuzuan ndihmën e ekipeve të shpëtimit, pasi synonin të arrinin në Mbretërinë e Bashkuar.
Mëngjesin e së martës, situata u përkeqësua kur struktura e varkës u dëmtua shpejt dhe ekipet franceze e britanike ndërhynë për shpëtim. Dy anije franceze shpëtuan 103 persona, ndërsa anijet britanike shpëtuan 54 të tjerë, shkruan BBC.
The post Mbi 150 emigrantë shpëtohen pasi varka merr flakë në Kanalin Anglez appeared first on Gazeta Express.

