Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do të flasë me evropianët e po ashtu edhe me njerëzit në Washington për çështjen e urës mbi lumin Ibër.
Ai gjatë një vizite në Rashkë është pyetur për hapjen e urës mbi Ibër edhe për qarkullimin e veturave.
Ka përmendur datën 1 shtator dhe tha se ka frikë për këtë çështje.
“Edhe unë kam frikë dhe të gjithë kanë frikë dhe prandaj do të lutemi dhe do të kërkojmë. Dhe përsëri do të telefonoj dhe nuk do ta kem të vështirë t’i telefonoj gjithkujt, edhe nëse më duhet të telefonoj në Washington, gjithkujt që mund të ndihmojë për këtë çështje, kujtdo që mund të ndihmojë. Fillimisht do t’u lutem njerëzve në Evropë të ndihmojnë. Nëse njerëzit në Evropë duan të ndihmojnë, nëse mundin, do të ndihmojnë, nuk mundin… dhe do të telefonoj në Washington, do t’u lutem edhe atyre që kjo të mos ndodhë”, theksoi Vuçiq, transmeton “RTS”.
Më 10 gusht, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se e ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën e Ibrit në Mitrovicë. Siç ka njoftuar KFOR-i, kjo po zhvillohet me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, si pjesë e procesit të zvogëlimit gradual të pranisë së KFOR-it.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “marrjen tërësisht nën kontroll” të saj nga Policia e Kosovës.
Ai shtoi se pas ndërtimit të urave të reja, është e pakuptimtë që Ura e Ibrit të vazhdojë të mbahet e mbyllur.

