Sot në Prishtinë mbahet “Marshi për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.
Marshi për Liri organizohet nga platforma “Liria ka emër”, ndërsa mbahet sot në Prishtinë, në ora 14:00.
Marshi në Prishtinë po mbahet vetëm disa ditë para vendimit të Gjykatës Speciale, ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, të cilat akuzohen për krime lufte.
Telegrafi.com do të raportojë të gjitha zhvillimet lidhur me Marshin për Liri.
12/09/2026 12:03- Haradinaj: Sot s’ka parti, sot ka Shqiptari
Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj tha sot se shqiptarët dinë të bashkohen në momentet vendimtare.
Haradinaj shkruan se Kosova prej çlirimtarët.
“Së bashku në sheshin “Skënderbeu”, në ora 14:00. Shqiptarët dinë të bashkohen në momentet vendimtare. Sot s’ka parti, sot ka Shqiptari. Kosova ju pret, Çlirimtarë!”, shkruan ai.
12/09/2026 11:59- Kolona veturash drejt Prishtinës
Kolona veturash janë krijuar në Fushë Kosovë teksa qytetarë nga komuna të ndryshme janë nisur në drejtim të Prishtinës për të marrë pjesë në “Marshin e Lirisë”.
Pjesëmarrësit janë nisur nga zona të ndryshme të Kosovës, ndërsa kolona është vërejtur në Fushë Kosovë gjatë rrugëtimit drejt kryeqytetit.
Lajmi i plotë KËTU:
12/09/2026 11:55- Hoxhaj u drejtohet qytetarëve: Historia na thërret, sot ta mbushim Prishtinën me zërin e Kosovës
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, mik i ngushtë dhe bashkëpunëtor shumëvjeçar i ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, u është drejtuar qytetarëve para Marshit për Liri, i cili mbahet sot, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Hoxhaj ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se populli i Kosovës nuk e harron historinë dhe nuk hesht kur e vërteta dhe lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nevojë për zërin e tij.
Lajmi i plotë KËTU:
12/09/2026 11:08- Kryeministri Edi Rama në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rama në një postim në Facebook thekson se farsa është në ditët e fundit.
“LIRI PËR ÇLIRIMTARËT…
Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj, por siç e ka thënë vetë Hashimi, lirinë nuk ia merr dot askush, askund, e ashtu siç Kosova triumfoi duke besuar te liria edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi me forcën e të vërtetës së tij, të cilën vitet e burgut veç e kanë bërë më të madhe bashkë me mbështetjen e krejt shqiptarisë”, shkruan ai.
12/09/2026 10:57- Tasholli fton qytetarët në “Marshin për Liri”: Hajdeni krejt, Prishtina ju pret
Përfaqësuesi i platformës qytetare “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen “Marshit për Liri”, që do të mbahet sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po mbahen në Hagë.
Tasholli ka ftuar të gjithë të jenë në shesh në orën 14:00.
“Prishtina po ju pret, hajdeni krejt!”, është shprehur Tasholli.
12/09/2026 10:39-Prishtina sot “marshon për liri”, policia paralajmëron bllokim të disa rrugëve
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, duke filluar nga ora 14:00, do të mbahen masa të veçanta të sigurisë për mbarëvajtjen e marshit solidarizues paqësor në sheshet kryesore të kryeqytetit.
Marshi do të zhvillohet në sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nëna Terezë” dhe “Skënderbeu”, ndërsa Policia ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve, qytetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.
12/09/2026 09:35- Gjini fton qytetarët në “Marshin për Liri”
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, u ka drejtuar një thirrje të hapur të gjithë bashkëqytetarëve dhe anëtarëve të Aleancës që të bëhen bashkë sot, në ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të marrë pjesë masivisht në “Marshin për Liri”.
Në thirrjen e tij, Gjini theksoi rëndësinë e unitetit qytetar në këtë periudhë të rëndësishme që po kalon vendi.
Lajmi i plotë KËTU:
12/09/2026 09:09- Liria ka Emër: Ejani me familjet tuaja në Marshin për Liri, të mbrojmë lirinë, historinë dhe UÇK-në
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli u kanë bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në “Marshin për Liri”, që do të mbahet sot, më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, në mbështetje të Hashim Thacit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Përfaqësuesja e LKE-së, Eliza Hoxha ka prezantuar programin dhe folësit e Marshit.
Lajmi i plotë KËTU:
12/09/2026 08:55- Marshi për liri, transporti urban sot në kryeqytet falas
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se transporti urban në kryeqytet sot do të jetë falas.
Ai në një postim në Facebook shkruan se Prishtina mirëpret të gjithë qytetarët në marshin për liri!
“Kryeqyteti gjithmonë do të mbetet shtëpia e dinjitetit dhe e zërit për drejtësi. Sot, transporti urban në Kryeqytet është FALAS! Parkingu te Pallati i Rinisë, Falas!”, shkruan ai.


