Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka nderuar me Medaljen për Shërbim të Shquar senatoren amerikane Joni Ernst, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Medalja iu dorëzua senatores Ernst gjatë vizitës së saj në Ministrinë e Mbrojtjes, ku ajo u prit nga Maqedonci, e shoqëruar nga delegacioni i Gardës Kombëtare të Iowa-s, të kryesuar nga gjenerali Stephen Osborn.
Sipas Maqedoncit, gjatë takimit është diskutuar për partneritetin ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Sot pata kënaqësinë e veçantë të mirëpres në Ministrinë e Mbrojtjes miken time dhe miken e dëshmuar të Kosovës, senatoren amerikane Joni Ernst, së bashku me delegacionin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, të kryesuar nga gjenerali Stephen Osborn. Me senatoren Ernst dhe delegacionin e Gardës Kombëtare të Iowa-s biseduam për partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit tonë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të çmuar ndër vite në forcimin e marrëdhënieve Kosovë–SHBA dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, pata nderin t’i ndaj senatores Ernst medaljen për shërbim të shquar.
“Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të çmuar ndër vite në forcimin e marrëdhënieve Kosovë–SHBA dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, pata nderin t’i ndaj senatores Ernst medaljen për shërbim të shquar”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Ai ka theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara dhe bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të Iowa-s kanë qenë ndër shtyllat kryesore të zhvillimit profesional dhe institucional të FSK-së, si dhe të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
“Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi i veçantë me Gardën Kombëtare të Iowa-s kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ndër shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit profesional dhe institucional të FSK-së dhe forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse.
Republika jonë i çmon dhe i kujton gjithmonë miqtë që i qëndrojnë pranë dhe që, me angazhimin e tyre, kanë kontribuar në forcimin e shtetit dhe të sigurisë sonë. Miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të pazëvendësueshme për Kosovën”, ka përfunduar ai./teve1.info/

